Kongresi i hap rrugë publikimit të dosjes “Epstein” – Pr.ligji u miratua nga të dyja dhomat me shumicë dërrmuese

Ligjvënësit amerikanë votuan me shumicë dërrmuese pr.ligjin për publikimin e dosjeve qeveritare mbi abuzuesin seksual Jeffrey Epstein, pasi Presidenti Donald Trump hoqi dorë nga kundërshtimi për hapjen e dokumenteve të financierit të ndjerë amerikan, që para se të vetëvritej u akuzua për trafikim vajzash të mitura për prostitucion.
Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi me shumicë dërrmuese masën me 427 vota pro dhe 1 kundër, ndërsa Senati e miratoi unanimisht me shpejtësi pa një votim formal. Lëvizjet vijnë vetëm disa ditë pasi Presidenti Donald Trump ndryshoi qëndrimin e tij dhe i kërkoi Kongresit të votojë për të zbuluar të dhënat pas kundërshtimit publik nga shumë prej mbështetësve të tij.
Ligjvënësit amerikanë thanë se publiku meriton përgjigje lidhur me këtë skandal që përfshin mbi 1 mijë viktima të dyshuara. Trump thotë se dosjet do të ekspozojnë lidhjet e figurave të fuqishme demokrate me Epstein, por edhe vetë presidenti përballet akuza se ka pasur dijeni për shkeljet e Epstein, për shkak të miqësisë së tij shumëvjeçare me financierin amerikan.
Pavarësisht votimit, Departamenti i Drejtësisë ka hapësirë për të mbajtur të fshehtë informacionin nëse publikimi i tij do të rrezikonte një hetim aktiv federal. Javën e kaluar u publikuan më shumë se 20 mijë faqe dokumentesh, disa prej të cilave përmendnin presidentin Trump, por Shtëpia e Bardhë mohoi çdo shkelje të tij.
Gazetare: Vjollca Zhari
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





