Manastirliu prezanton projektet e reja për Tiranën: Programi i ushqimit në shkolla nis vitin e ardhshëm

Aktualitet | 10 muaj më parë

Drejtuesja politike e Qarkut Tiranë, Ogerta Manastirliu, së bashku me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, drejtuesit e Bashkisë së Tiranës dhe deputetët e zonës, prezantuan buxhetin e qytetarëve për Tiranën dhe vizionin “Shqipëria 2030” gjatë një konsultimi publik me banorët e Kasharit dhe Njësisë 11 në Kryeqytet.

Gjatë takimit, Manastirliu theksoi se një nga prioritetet kryesore të qeverisë është pilotimi i programit të ushqimit në shkolla, i cili do të nisë zbatimin në vitin 2026.

Ajo u shpreh se ky program është konceptuar për të mbështetur familjet dhe për të garantuar një standard më të lartë të kujdesit ndaj fëmijëve të ciklit fillor.

Gjithashtu ajo theksoi se buxheti i vitit 2026 është konceptuar si një buxhet social, i cili synon të mbështesë shtresat në nevojë.

Ky buxhet nuk është thjesht shifër, por është buxheti i njerëzve, buxheti që mbështet të moshuarit, buxheti që mbështet familjet”, deklaroi ajo.

Duke folur më konkretisht, deputetja socialiste theksoi se, “Njësia 11 dhe zona e Kasharit do të përfitojnë projekte të reja që synojnë përmirësimin e transportit, hapësirave publike dhe investimeve sociale. Një nga projektet me potencial strategjik është krijimi i zonës teknologjike dhe të zhvillimit ekonomik në Kashar, e njohur si TEDA, e cila pritet të kthehet në një hapësirë të dedikuar për zhvillimin ekonomik të Tiranës. Përmes këtij projekti, shumë të rinj dhe profesionistë do të kenë mundësi punësimi në sektorë inovativë.

Manastirliu nënvizoi gjithashtu investimet e reja në infrastrukturën arsimore. Shkolla “Kol Jakova” pritet të përfundojë falë buxhetit të vitit 2026, ndërsa në zonën “Muharrem Çaushi” në Kashar ka nisur ndërtimi i një kompleksi arsimor që përfshin çerdhe, kopshte dhe shkolla.

Një risi e buxhetit të vitit 2026 është programi pas-shkollor dhe ushqimit në shkolla, i cili do të pilotohet për herë të parë nga Bashkia e Tiranës.

Një nga prioritetet kryesore të qeverisë është programi pas-shkollor dhe ushqimit në shkolla, i cili do të pilotohet për herë të parë nga Bashkia e Tiranës në vitin 2026. Ky është një program shumë i kërkuar nga familjet, sidomos për fëmijët nga klasa e parë deri në klasën e pestë. Prindërit duhet të ndihen të sigurt dhe fëmijëve t’u ofrohet një vakt ushqimor cilësor. Ky është një zotim i qeverisë shqiptare dhe tashmë është i parashikuar në buxhetin e Ministrisë së Arsimit”, u shpreh Manastirliu.

Ky program synon të lehtësojë prindërit dhe të rrisë cilësinë e shërbimeve arsimore, duke u bërë një nga projektet më të rëndësishme sociale të vitit 2026.

Këto projekte dhe programe janë pjesë e vizionit tonë për ‘Shqipërinë 2030’, një vizion që synon zhvillim të qëndrueshëm, më shumë mundësi për të rinjtë dhe një cilësi më të lartë të shërbimeve publike për çdo qytetar

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme