Plani amerikan për Rusi-Ukrainë – Trump thotë se ekziston një mundësi e mirë për dhënien fund luftës pas takimit SHBA-Ukrainë
Presidenti amerikan Donald Trump u shpreh të dielën se ekzistonte një mundësi e mirë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, pas negociatave më të fundit të zyrtarëve amerikanë dhe atyre ukrainas, por ndërkohë theksoi se një skandal korrupsioni që ka goditur Kievin nuk ishte aspak i dobishëm.
“Ukraina ka disa probleme të vogla dhe të vështira për momentin”, u shpreh Trump për gazetarët në bord të Air Force One, duke iu referuar hetimit për afera korruptive ndërmarrë nga autoritetet ukrainase që detyruan presidentin e atij vendi Volodimir Zelenksy të largonte shefin e stafit të tij dhe kryenegociatorin Andrii Yermak.
“Por mendoj se ka një shans të mirë për të arritur një marrëveshje”, vijoi më tej Trump, i dërguari i të cilit Steve Witkoff do të takohet të martën në Moskë me presidentin rus Vladimir Putin. Pas takimit që u mbajt të dielën në Florida mes delegacionit të Ukrainës, të drejtuar nga Sekretari i Këshillit të Sigurisë së atij vendi Rustem Umerov dhe atij amerikan ku u përfshinë Sekretari i Shtetit Marko Rubio, Witkof por edhe dhëndri i Trump, Jared Kushner për të biseduar për planin më të fundit të Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
Sekretari i Shtetit, negociatat i cilësoi si shumë produktive, por ndërkohë theksoi se nevojitej më shumë punë për të ndalur atë luftë. Ndërkaq, krye diplomatja evropiane, Kaja Kallas u shpreh sot se kjo javë do të jetë vendimtare për sa i përket luftës në Ukrainë.
“Mund të jetë një javë vendimtare për diplomacinë. Dëgjuam dje se bisedimet në Amerikë ishin të vështira por produktive. Ende nuk i dimë rezultatet, por do të bisedoj me Ministrin e Mbrojtjes dhe atë të jashtëm të Ukrainës”, u shpreh Kallas gjatë një takimi të ministrave të mbrojtjes së BE-së.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





