Gjykata e Durrësit liron me kusht Arbër Paplekajn, i dënuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit

Gjykata e Durrësit ka pranuar kërkesën e Arbër Paplekajt, ish-efektiv i RENEA-s, i dënuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në ngjarjen e 21 prillit 2021 në Elbasan.
Me vendimin e shpallur më 16 dhjetor 2025, togët e zeza urdhëruan lirimin e tij me kusht për pjesën e mbetur të dënimit, prej 6 muaj e 1 ditë burgim.
Sipas vendimit, Paplekaj detyrohet të mbajë kontakt të rregullt me Shërbimin e Provës në Durrës dhe të mos kryejë vepër tjetër penale gjatë periudhës së provës.
Gjithashtu, ai nuk duhet të shoqërohet me persona të dënuar.
Arbër Paplekaj u dënua më 22 korrik 2023 nga Gjykata e Elbasanit me 22 vite burg për akuzën e “vrasjes në rrethana cilësuese”.
Ai kishte pretenduar se krimin e kreu për vetëmbrojtje.
Më pas, Gjykata e Apelit më 1 korrik 2024 ndryshoi akuzën në “vrasje në kushtet e tronditjes psikike” dhe e dënoi me 7 vite burg.
Në të njëjtin vendim, Apeli shpalli të pafajshëm 6 efektivët e “Shqiponjave” dhe dy ish-zëvendësdrejtorët e Policisë së Elbasanit, të cilët më herët ishin dënuar me shërbim prove nga Gjykata e Elbasanit.
Ngjarja e 21 prillit 2021
Vrasja e Pjerin Xhuvanit, ndodhi katër ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021. Ngjarja shpërtheu pas një përplasjeje mes shtabeve elektorale në Elbasan, ku struktura informale e ngritur nga PD për mbrojtjen e votës ndaloi makinën e Mehmet Greçës, i dyshuar për blerje votash.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




