Berisha: Dështuan përpjekjet për përçarjen e protestës studentore, kërkoj lirimin e të ndaluarve

Politikë | 50 minuta më parë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se përpjekjet për të përçarë protestën studentore kanë dështuar, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe mbështetësit e tij për ndërhyrje që synonin dobësimin e lëvizjes protestuese.

Në një deklaratë për mediat pasdite vonë në 31 tetor, Berisha u shpreh se protesta ka ruajtur unitetin e saj pavarësisht përpjekjeve për ta devijuar apo fragmentuar.

“Sot dështoi në mënyrën më të turpshme përpjekja e Edi Ramës për të përçarë protestën në mënyrën më të neveritshme. Ata të cilët, si punë e qorrit të tij, që deklarojnë se protestojnë për të përmirësuar Ramën, ata janë Jago të revoltës studentore. Studentët e revoltuar, gjimnazistët i kanë prerë biletën Edi Ramës. Nuk besojnë kurrë se ai mund të përmirësohet.”, tha ai.

Sipas Berishës, studentët dhe gjimnazistët që po protestojnë kanë humbur besimin te qeveria dhe kërkojnë ndryshim politik.

“Në këtë përpjekje pati dhe mjeranë të angazhuar nga policia kriminale, por që të gjithë morën përgjigjen e merituar. Pra, mund të themi se sot Edi Rama, me puthadorët e tij, dështoi në mënyrë përfundimtare të përçajë protestën. Protesta studentore edhe njëherë ka nevojë jetike, të madhe, të mbështetet nga të gjithë ata që besojnë se Edi Rama është një e keqe e madhe në këtë vend, që duhet të largohet menjëherë. Studentët e revoltuar, gjimnazistët i kanë prerë biletën Edi Ramës. Nuk besojnë kurrë se ai mund të përmirësohet”, deklaroi kreu i opozitës.

Ai shtoi se protesta duhet të mbështetet nga të gjithë qytetarët, pavarësisht dallimeve politike apo programore, duke e cilësuar atë si një kauzë me rëndësi të veçantë për të ardhmen e vendit.

“Protesta studentore edhe njëherë ka nevojë jetike, të madhe, të mbështetet nga të gjithë ata që besojnë se Edi Rama është një e keqe e madhe në këtë vend”, u shpreh Berisha.

Në deklaratën e tij, ai dënoi edhe veprimet e policisë gjatë protestave dhe kërkoi lirimin e studentëve të ndaluar.

“Dënoj me forcën më të madhe dhunën e egër policore. Kërkoj lirimin e menjëhershëm të studentëve të ndaluar në komisariatet e policisë. Dhe ftoj të gjithë ata policë që kanë minimumin e ndërgjegjes kombëtare dhe njerëzore, të hedhin kapelat, të bashkohen me studentët, se studentët po bëjnë një betejë për çdo shqiptar, edhe për policët dhe fëmijët e tyre, që ata të ndërtojnë jetën e tyre në Shqipëri.”, tha Berisha.

Në përfundim, ai u bëri thirrje qytetarëve të vijojnë mbështetjen për protestën studentore, duke e cilësuar atë si një përpjekje në interes të gjithë shoqërisë shqiptare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme