Përmet, rritet interesi për Check-Up, mjekët apelojnë për kontrolle periodike

Shëndet | 46 minuta më parë

Kontrolli i shëndetit po kthehet gjithnjë e më shumë në një prioritet për qytetarët e Përmetit.

Vitet e fundit është vënë re një rritje e interesit për kryerjen e kontrolleve mjekësore bazë, të njohura si Check-Up, një program që synon evidentimin në kohë të problemeve shëndetësore dhe parandalimin e komplikacioneve të mundshme.

Shefja e Shërbimit Shëndetësor në Përmet, Valbona Lipe, bën të ditur se një ndër faktorët që ka ndikuar në rritjen e interesit është edhe heqja e kufizimit të moshës, duke u dhënë mundësi më shumë qytetarëve të përfitojnë nga ky shërbim.

Valbona Lipe, shefe e Shërbimit Shëndetësor Përmet tha se, “Në qoftë se më përpara ka qenë grupmosha 35 deri në 70 vjeç, vendimi i fundit i qeverisë e ka hequr kufizimin e moshës dhe kemi vënë re shtim të interesit edhe nga pensionistët mbi 70 vjeç për të kryer Check-Up-in.”

Përtej rritjes së numrit të qytetarëve që i drejtohen këtij shërbimi, rëndësia e Check-Up-it qëndron veçanërisht në mundësinë që ofron për zbulimin e hershëm të sëmundjeve.

“Ka ndikuar jashtëzakonisht për zbulimin e disa sëmundjeve, si në rastet e diabetit, dislipidemive dhe sëmundjeve tumorale, si kanceri kolorektal”, tha Lipe.

Në këtë kuadër, mjekët u bëjnë apel qytetarëve që të mos presin shfaqjen e shqetësimeve shëndetësore për t’iu drejtuar mjekut, por të tregojnë kujdes të vazhdueshëm për shëndetin përmes kontrolleve periodike.

“Thirrja jonë është që të gjithë personat t’i nënshtrohen ekzaminimeve bazë. Është një shërbim i garantuar dhe shumë i rëndësishëm për shëndetin,” theksoi ajo.

Parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm mbeten ndër mënyrat më efektive për të shmangur përkeqësimin e sëmundjeve dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës.

Gazetare: Leonida Koçiu

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme