Siri- Gjakderdhje gjatë lutjeve të së premtes, shpërthimi në xhaminë e Homsit vret 8 besimtarë, dyshime për dorën e ISIS

Një akt i rëndë terrorist ka tronditur qytetin e Homsit ditën e sotme, duke kthyer edhe njëherë frikën e dhunës sektare në vend. Të paktën tetë persona kanë humbur jetën dhe 18 të tjerë janë plagosur pas një shpërthimi të fuqishëm brenda xhamisë “Imam Ali ibn Abi Talib”.
Ngjarja ndodhi gjatë lutjeve të së premtes në lagjen Wadi al-Dhahab, një zonë e populluar kryesisht nga komuniteti alavit. Pamjet e publikuara nga agjencia e lajmeve “Sana” tregojnë skena kaosi: mure të nxira nga bloza, dritare të thërrmuara dhe qilima të përgjakur aty ku pak çaste më parë besimtarët po kryenin ritet fetare.
Sipas burimeve të sigurisë, dyshohet se bëhet fjalë për një mjet shpërthyes të vendosur qëllimisht brenda objektit të kultit.

Kush fshihet pas sulmit?
Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë grupi xhihadist “Saraya Ansar al-Sunnah”. Në deklaratën e tyre, ky grup pretendon se ka bashkëpunuar me një fraksion tjetër të paidentifikuar.
Analistët ndërkombëtarë kanë ngritur dyshime se ky grupacion mund të jetë thjesht një fasadë e re e mbetjeve të Shtetit Islamik (ISIS), duke parë ngjashmërinë në taktikat e përdorura dhe shënjestrimin e civilëve.
Ministria e Jashtme e Sirisë e dënoi ashpër sulmin, duke e cilësuar si një “akt frikacak ndaj vlerave njerëzore”, që synon të destabilizojë vendin në këtë periudhë të brishtë tranzicioni.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




