Nuk ka pushime për Partizanin, luan miqësore me Laçin më 30 dhjetor

Kampionati është ndalur për pauzën mes dy fazave, por për skuadrat e elitës nuk ka shumë kohë për të pushuar. Egnatia dhe Dinamo kanë ndeshjen e Superkupës së Shqipërisë më 28 dhjetor, kurse Partizani ka menduar për një ndeshje testuese.
Të kuqtë do të luajnë me Laçin e Kategorisë së Parë më 30 dhjetor, në “Arena e Demave”, në orën 11:00. Një miqësore e pazakontë, por ndoshta e imponuar nga fakti që aktiviteti në 2026-ën nis shumë shpejt, më 10 janar me ndeshjet e Kupës së Shqipërisë.

Partizani në fakt ka një grup të limituar lojtarësh për shkak të dëmtimeve. Stafi teknik kërkon t’i mbajë lojtarët në tonus, ose ndoshta edhe të provojë ndonjë kandidat për t’iu bashkuar skuadrës në merkaton e janarit.
Ekipi i drejtuar nga trajneri Kërnaja e mbylli fazën e dytë me dy humbje, duke u pozicionuar në vend të 6-të, me 23 pikë. Laçi ndërkohë synon rikthimin në Abissnet Superiore. Aktualisht mban vendin e dytë në Kategorinë e Parë, pas Skënderbeut.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




