Operacioni “Fireworks” në Tiranë, kapet me makinën plot fishekzjarre kontrabandë, arrestohet 22-vjeçari

Aktualitet | 10 muaj më parë

Policia e Tiranës ka vijuar kontrollet në kuadër të operacionit policor të koduar “Fireworks”, duke goditur një tjetër rast të tregtimit të paligjshëm të lëndëve piroteknike në prag të festave të fundvitit.

Shërbimet e Komisariatit Nr. 1 kanë arrestuar në flagrancë shtetasin S. M., 22 vjeç, i cili u kap duke transportuar me automjet pako me fishekzjarre dhe kapsolla të dyshuara kontrabandë, me qëllim shitjen e tyre.

Arrestimi u bë në bulevardin “Bajram Curri”, ku agjentët e policisë ndaluan për kontroll automjetin që drejtonte i riu.

“Nga kontrolli në automjet u gjetën pako me lëndë piroteknike (fishekzjarre dhe kapsolla) që do të shiteshin në kundërshtim me kriteret. Gjithashtu, 22-vjeçari nuk dispononte fatura blerjeje për këto mallra,” sqaron Policia e Tiranës në njoftimin zyrtar.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sasitë e lëndëve piroteknike, si dhe automjeti që shërbente për transportin e tyre.

Ndaj 22-vjeçarit rëndojnë tashmë tri vepra penale: “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”.

Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, ndërsa policia paralajmëron se kontrollet do të vijojnë për të garantuar sigurinë e qytetarëve gjatë festimeve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme