Mirësevjen 2026! Bota ndizet nga fishekzjarret; Nga Sidnei në Tokio e Pekin, spektakli i ndërrimit të viteve

Ndërsa Evropa dhe Amerika janë ende duke numëruar orët e fundit të vitit 2025, gjysma tjetër e globit ka hapur tashmë fletën e parë të kalendarit të ri. Nga Oqeania në Azinë e Largët, qielli është ndriçuar nga spektakle piroteknike madhështore, lutje tradicionale dhe festa masive në sheshe, duke sinjalizuar me shpresë mbërritjen e vitit 2026.
Oqeania dhe Azia Lindore të parët në festë
Siç e do tradita, Sidnei (Australi) dhuroi një nga pamjet më ikonike, ku ura e famshme “Harbour Bridge” u kthye në një ujëvarë drite. Në Tokio (Japoni), modernia u takua me traditën. Në tempullin budist Zojoji, qytetarët goditën këmbanën gjigante pak minuta pas mesnate dhe dogjën në mënyrë simbolike “rezolutat e vjetra” për t’i hapur rrugë të resë. Ndërkohë, në Seul (Koreja e Jugut), mijëra njerëz u mblodhën para pavijonit Bosingak për ceremoninë tradicionale të rënies së këmbanës.
Spektakël në Kinë dhe Tajvan
Në Taipei (Tajvan), qielli u ndriçua nga fishekzjarret që shpërthyen nga kulla emblematike “Taipei 101”, ndërsa turmat brohorisnin në sheshin para bashkisë. Në Pekin (Kinë), festimet morën ngjyra historike në Murin e Madh, ndërsa në qendrat tregtare njerëzit ndiqnin në ekrane gjigante fjalimin e Presidentit Xi Jinping. Po ashtu, Hong Kongu u përfshi nga entuziazmi i numërimit mbrapsht në distriktin qendror.
Azia Juglindore dhe India
Lumi Chao Phraya në Bangkok (Tajlandë) u shndërrua në një skenë gjigante, ku fishekzjarret reflektuan mbi ujë duke krijuar pamje mahnitëse. Në Hanoi (Vietnam), stadiumi kombëtar “My Dinh” ishte epiqendra e festës, ndërsa në Mumbai (Indi), qyteti u mbush me dekorime të ndriçuara ku njerëzit pozonin për fotot e para të vitit.
Nga Moska në Mesdhe
Ndërsa festa spostohej drejt perëndimit, Moska (Rusi) priti ndërrimin e viteve me atmosferë dimërore dhe karusele në Sheshin e Kuq. Një imazh më poetik erdhi nga Beiruti (Liban), ku qytetarët shijuan perëndimin e fundit të diellit për vitin 2025 mbi shkëmbinjtë e Mesdheut, duke reflektuar mbi vitin që shkoi.
Tani sytë e botës janë drejtuar nga Perëndimi, ku pritet që së shpejti metropolet evropiane dhe më pas “Times Square” në Nju Jork të marrin stafetën për të përshëndetur vitin 2026.
















/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




