Baçi në “Tema e Ditës”: 2026-a do të jetë me zhvillime të forta nga drejtësia

Politikë | 10 muaj më parë

Analisti i njohur Agim Baçi, i ftuar në emisionin “Tema e Ditës” nën moderimin e Arbër Hitajt, ka bërë një skaner të plotë të situatës politike në vend, duke analizuar vitin që lamë pas dhe pritshmëritë për vitin 2026. Sipas Baçit, viti që po vjen pritet të karakterizohet nga zhvillime të forta që do të burojnë kryesisht nga organet e drejtësisë.

Në analizën e tij, Baçi vuri theksin te raporti i zhdrejtë mes politikës dhe drejtësisë, duke nëvizuar se ndërsa drejtësia ka avancuar, politika ka dështuar të tregojë përgjegjshmëri.

“Drejtesia po bën punën e saj, politika duhet të reflektojë”

Analisti u shpreh se viti 2025 ishte një vit pozitiv për drejtësinë shqiptare, por jo për klasën politike. Ai parashikon se ritmi i SPAK dhe organeve të tjera do të vijojë të jetë i lartë edhe në vitin 2026.

“Donim që zgjidhja të ishte politike e të mos vinte nga drejtësia. Sado që drejtësia përcjell lajme pozitive, gjithçka rregullohet nga politika. Viti 2025 ishte një lajm i mirë për drejtësinë, por jo për politikën. Drejtësia besoj se dhe në 2026 do të vijojë me të njëjtin ritëm. Pyetja është nëse politika do t’i thërrasë përgjegjshmërisë së vet. Shpresoj që 2026 të jetë një vit i përgjegjshëm për politikën,” tha Baçi.

Zgjedhjet e 11 majit dhe “luksi” i mazhorancës

Duke u ndalur te zgjedhjet e 11 majit 2025, Baçi analizoi shkaqet e rezultatit, duke e cilësuar sjelljen e opozitës si një “autogol”. Sipas tij, mazhoranca u favorizua nga një opozitë e përçarë dhe e fokusuar gabimisht te problemet personale të Sali Berishës me drejtësinë.

“Mazhoranca pati luksin të punonte me një opozitë që kishte luftë të brendshme, me një Berishë ‘non grata’, që merrej me akuza ndaj SPAK për hallet e tij. Opozita bëri autogol duke u evidentuar vetëm me fatin e Berishës. Kjo e zvogëloi opozitën,” u shpreh analisti.

Ai shtoi se mbijetesa e opozitës varet nga aftësia e saj për t’u kthyer në një alternativë reale qeverisëse, dhe jo në një mburojë për individë të caktuar.

“Nëse vijon Berisha sërish me të njëjtën rrugë… mund të kemi një shkërrmoqje më shumë të opozitës dhe krijim të partive të reja. Varet nga Berisha nëse e kupton se misioni i tij politik ka mbaruar. Ai duhet t’u drejtohet demokratëve që të zgjedhin një pasardhës tjetër,” theksoi ai.

Faktori Salianji dhe dështimi i “Polit të Tretë”

Në lidhje me lëvizjet e reja brenda kampit opozitar, Baçi komentoi aktivitetin e Ervin Salianjit, duke e parë si një përgjigje ndaj kërkesës së bazës demokrate për debat dhe ndryshim.

“Ardhja e demokratëve në foltoret e Salianjit bën të qartë se ka nevojë për debat. Salianji është i vendosur ta vijojë këtë rrugë sepse ia kërkojnë demokratët. Çdo ‘make up’ i bërë nga Berisha s’ka kuptim,” tha ai.

Gjithashtu, analisti kritikoi partitë e vogla për mungesën e bashkimit në zgjedhjet e shkuara, çka solli margjinalizimin e tyre.

“Partitë e vogla mund të ishin bashkë në zgjedhjet e 11 majit dhe mund të ishin pol i tretë. Zgjodhën të garonin veç dhe mbetën të vogla. Votat nuk kanë shkuar të plota as te ‘Rama’ e as te Berisha, pra kanë hapësira,” analizoi Baçi.

Në përmbyllje, Baçi e shikon të pamundur skenarin e një qeverie teknike, duke e cilësuar mazhorancën aktuale si tepër komode në numra, një situatë që sipas tij, nuk është e shëndetshme për demokracinë në vend.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme