Emërohet kreu i ri i Zyrës së Zelensky – Shefi i inteligjencës ushtarake zëvendëson Andrij Yermak

Ndërsa sulmet ruse vijojnë të shkaktojnë viktima në Ukrainë ne këtë fillim viti, presidenti Zelenski njoftoi se ka emëruar Kirilo Budanov, kreun e shërbimit sekret ushtarak të Ukrainës si kreun e zyrës presidenciale, duke e bërë krahun e tij të djathtë.
“Zhvillova një takim me Budanov dhe i ofrova postin e kreut të Zyrës së presidentit të Ukrainës”- njoftoi Zelensky, duke shtuar se ai do të përqendrohet në çështjet e sigurisë, zhvillimin e forcave të mbrojtjes dhe sigurisë të Ukrainës si dhe në negociatat diplomatike.
Gjeneralmajori 39-vjeçar njihet në Ukrainë për një sërë operacionesh të suksesshme kundër Rusisë që kur Moska nisi pushtimin e fqinjit të vet në shkurt të vitit 2022. Ai pason Andrij Yermak, i cili dha dorëheqjen, pasi në nëntor të vitit të kaluar autoritetet e sigurisë ushtruan kontroll në shtëpinë e tij në vijim të një hetimi të gjerë antikorrupsion.
Yermak ka qenë një figurë kyçe në negociatat me Shtetet e Bashkuara që synonin t’i jepnin fund luftës ruse. Edhe Budanov, si kreu i shërbimit sekret ushtarak, ishte gjithashtu anëtar i delegacionit ukrainas në bisedimet me palën amerikane.
“Është një nder dhe një përgjegjësi për mua të përqendrohem në çështjet thelbësore të sigurisë strategjike të shtetit tonë në këtë kohë historike për Ukrainën”- u shpreh Kirilo Budanov duke konfirmuar pranimin e detyrës.
Zelenski njoftoi ndryshime edhe në Ministrinë e Mbrojtjes, ku zëvendëskryeministri dhe Ministri i Transformimit Digjital, Mikhailo Fedorov u propozua si ministër i ri në vend të Denis Shmyhal. Lideri ukrainas deklaroi se ky i fundit do të vazhdojë të kontribuojnë në qëndrueshmërinë e shtetit.
Zhvillimet vijnë ndërsa në Kiev këshilltarët e sigurisë takohen me partnerët evropianë dhe amerikanë për të diskutuar mbi një plan paqeje të ndërmjetësuar nga SHBA-të, bisedime, që mbahen para samitit të grupit të gatshmëve që mbahet në Paris më 6 janar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




