Zv/presidentja Delcy Rodriguez: Venezuela nuk do të bëhet kurrë koloni – Maduro, udhëheqësi i vetëm i vendit

Botë | 10 muaj më parë

Në një mesazh video të transmetuar në televizionin shtetëror të Venezuelës, zëvendëspresidentja Delcy Rodriguez deklaroi se “Venezuela nuk do të bëhet kurrë koloni e asnjë kombi”.

Ajo theksoi se vendi është i hapur për një marrëdhënie respekti me administratën Trump, por vetëm brenda kuadrit të së drejtës ndërkombëtare dhe ligjit venezuelian.

Rodriguez, e cila sipas presidentit amerikan Donald Trump u betua si presidente pas arrestimit të Nicolas Maduros, bëri thirrje për lirimin e tij dhe të bashkëshortes.

“Maduro është udhëheqësi i vetëm i Venezuelës,” u shpreh ajo.

Ndërkohë, presidenti Trump në një konferencë për shtyp të mbajtur më 3 janar konfirmoi se Maduro dhe bashkëshortja e tij po transportohen drejt Nju Jorkut për t’u gjykuar.

 “Ne do ta qeverisim Venezuelën derisa të sigurojmë një tranzicion të qetë,” tha Trump, duke publikuar edhe një foto të momentit të arrestimit.

Operacioni për kapjen e Maduros dhe bashkëshortes së tij zgjati rreth dy orë e gjysmë.

Një zyrtar i lartë e përshkroi ndërhyrjen si të planifikuar prej muajsh, duke përfshirë CIA-n, NSA-n dhe Departamentin e Hetimeve Penale. Sipas burimeve të CNN, presidenti venezuelian u arrestua natën në dhomën e gjumit, ndërsa flinte me gruan e tij.

Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, deklaroi: “Nicolas Maduro akuzohet për komplot për të kryer narkoterrorizëm, komplot për të importuar kokainë, posedim të armëve të shkatërrimit në masë dhe pajisjeve të shkatërrimit në masë, si dhe komplot kundër Shteteve të Bashkuara.”

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, kishte theksuar më herët: “Maduro NUK është presidenti i Venezuelës dhe regjimi i tij NUK është qeveria legjitime.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme