Përmbytjet në Kurbin, Gjekmarkaj akuza qeverisë dhe bashkisë: Dështim total, banorët të izoluar nën ujë

Aktualitet | 10 muaj më parë

Situata e rënduar nga reshjet e fundit në Bashkinë e Kurbinit ka sjellë reagimin e ashpër të Partisë Demokratike. Nënkryetari i Kuvendit dhe deputeti i qarkut, Agron Gjekmarkaj, e ka cilësuar situatën si një “dështim total” të institucioneve vendore dhe qendrore.

Përmes një reagimi publik, pas një inspektimi në terren, Gjekmarkaj denoncoi mungesën e masave, që, sipas tij, “ka lënë familje të tëra të izoluara dhe sipërfaqe të mëdha toke nën pushtetin e ujit”.

Gjekmarkaj, i shoqëruar nga deputeti Kastriot Piroli dhe kryetari i degës së PD-së në Kurbin, Edmond Shkoza, kanë parë nga afër zonat më problematike. Sipas demokratëve, dëmet janë të konsiderueshme si në banesa, ashtu edhe në ekonomitë e vogla familjare, ndërsa infrastruktura rrugore në zonat rurale është bërë e pakalueshme për automjetet e vogla.

“Së bashku me kolegun Kastriot Piroli dhe me kryetarin e PD Kurbin, Edmond Shkoza, vëzhguam nga afër zonat më të prekura. Konstatuam dëme të konsiderueshme dhe rrugë lokale të pamundura për t’u kaluar. Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente për shpëtimin e pasurisë së tyre,” shprehet Gjekmarkaj.

Numri dy i Kuvendit i ka drejtuar një thirrje direkte kryetares së Bashkisë Kurbin, Majlinda Cara, duke i kërkuar të jetë prezente pranë banorëve.

“I bëjmë thirrje kryetares Majlinda Cara që të shfaqet në zonat e dëmtuara, të marrë përgjegjësi dhe jo të fshihet pas gjithë këtyre dëmeve,” theksohet në reagim.

Gjithashtu, opozita kërkon nga qeveria që të lërë mënjanë propagandën dhe të dërgojë urgjentisht mjete për pastrimin e kanaleve kulluese dhe zhbllokimin e akseve rrugore.

Përtej masave emergjente, Gjekmarkaj ka kërkuar hartimin e një plani konkret financiar për kompensimin e banorëve të prekur.

“Të hartohet dhe zbatohet një paketë emergjence për riparimin e dëmeve dhe të merren masa afatgjata për përforcimin e sistemit kullues. Qytetarët e Kurbinit nuk mund të mbeten peng i infrastrukturës së paaftë dhe i deklaratave boshe,” përfundon reagimi i tij.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme