Balluku mbledh shtabin e emergjencave në Fier: Vjosa, zona më problematike
Zëvendëskryeministrja dhe njëherazi ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka mbledhur me urgjencë në Prefekturën e Fierit Shtabin e Emergjencave Civile, për të analizuar situatën e përmbytjeve në qarkun Fier.
Gjatë mbledhjes, Balluku theksoi se situata paraqitet problematike veçanërisht në zonën e lumit Vjosë, ku prurjet e larta kanë shkaktuar përmbytje dhe rrezik për zona të banuara dhe tokë bujqësore.
Ministrja kërkoi angazhim maksimal nga të gjitha strukturat vendore dhe institucionet përgjegjëse për menaxhimin e emergjencave, duke theksuar nevojën për prezencë të vazhdueshme në terren dhe ndihmë konkrete për qytetarët e prekur, veçanërisht në Bashkinë Fier.
“Zona e Fierit është një zonë e agravuar në këto momente. Na duhet të jemi në krye të detyrës. T’i vini në ndihmë bashkisë së Fierit, të përdoren të gjitha mjetet që bashkitë kanë në dispozicion.
Në Poçem kemi një situatë atje. Të gjitha forcat që janë të lira në këto momente duhet t’i bashkohen bashkisë së Fierit duke qenë se ne e dimë që ne kemi një problematikë të zakonshme në zonën ku dy qarqet bashkohen pra, në urën e Mifolit.
Duke qenë se prurjet e Vjosës nuk ndikohen vetëm nga reshjet që kemi në territorin e Republikës së Shqipërisë por edhe nga reshjet që ndodhin në këto momente në Greqi.
Dhe situata është sfiduese në disa zona siç është Kafaraj apo zona të tjera ku kemi bërë edhe evakuime”, u shpreh Balluku.
Po ashtu, Balluku udhëzoi që njësitë vendore që aktualisht nuk paraqesin problematika nga përmbytjet të vihen në dispozicion për të ndihmuar zonat më të prekura, me mjete, forca njerëzore dhe logjistikë, në funksion të përballimit të situatës së krijuar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




