Furnizimi me energji/ Balluku: Të gjitha linjat funksionale, 1600 punonjës në terren për defektet
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka dhënë sot një panoramë të plotë mbi situatën e furnizimit me energji elektrike pas reshjeve intensive dhe prurjeve të larta të ditëve të fundit. Në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, ajo theksoi se gjendja është ndjeshëm më e mirë në rang vendi, falë angazhimit të strukturave shtetërore në terren.
Balluku deklaroi se “sipas raportit të orës 08:00 të Operatorit të Sistemit të Transmetimit rezulton se të gjitha linjat janë funksionale dhe nuk kemi asnjë problem sa i përket transmetimit të energjisë”.
Duke folur për menaxhimin e energjisë, ministrja bëri të ditur se “kanë qenë në terren më shumë se 1600 punonjës. Që nga data 2 janar janë angazhuar në zonat më të prekura Tiranë, Durrës, Vlorë, Gjirokastër dhe Elbasan. Është menaxhuar edhe veriu, por për shkak të investimeve që kemi bërë në veri zonat kanë qenë të mbrojtura dhe më pak problematike”.
Ajo shtoi se pavarësisht kushteve atmosferike të vështira, ndërprerjet e energjisë janë rikuperuar shpejt. “Duke pasur parasysh edhe ndryshimin e kushteve atmosferike në zonat malore qofshin këto të veriut apo verilindjes kemi pasur disa shkëputje në zonën e Kukësit apo Librazhdit, por që të gjitha janë kthyer në funksion në kohë rekord”, tha Balluku.
Sa i përket tensionit të mesëm dhe të ulët, ministrja theksoi se dita e djeshme ka qenë më problematikja. “Gjatë ditës së djeshme që ka qenë edhe dita më kulmore e problematikave përsa i përket kushteve atmosferike kemi arritur në një total të ndërprerjes së energjisë për 38 731 abonentë. Krahasuar me totalin e abonentëve që shkon në 1 milion, ky numër është i menaxhueshëm. Gjatë ditës së sotme është ulur numri në 19 175 abonentë. Në raportin e orës 08:00 pa energji në zonat urbane kanë qenë 4786 abonentë, në zonat rurale 10 030 dhe në zonat rurale të thella 4359 abonentë”.
Balluku siguroi se synimi është rikuperimi i plotë në orët në vijim. Ajo u ndal edhe tek nënstacionet, duke thënë se “sa i përket nënstacioneve janë funksionale në rang vendi përveç dy stacioneve që kanë prezencë të ndjeshme të ujit, që është ai i Kafarajt dhe i Poçemit. Me rënien e nivelit të Vjosës shpresojmë që shumë shpejt të dyja nënstacionet, pasi të pastrohen dhe të krijojnë gjithë kushtet e sigurisë, të vendosen në funksion”.
Në lidhje me situatën hidrike, ministrja sqaroi se kaskada e Drinit ka regjistruar prurje rekord. “Kaskada ka pasur prurje rekord, 3000 metër kub për sekondë. Kuota e Fierzës ka arritur në 289.77 metra. Prurjet kanë rënë, janë 1500 metër kub për sekondë”, tha ajo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



