“Helm” pas Barcelona-Real Madrid, gjeste dhe ofendime mes rivalëve të përjetshëm

Spanjë | 10 muaj më parë

Tension pas “El Clasico”. Laporta dënon largimin e Mbappé,  ndërsa Fermin dhe Cubarsí bëshen çështje me gjestet dhe fyerjet ndaj tifozëve madrilenë.

Finalja e Superkupës së Spanjës u mbyll me fitoren 3-2 të Barcelonës. Kjo ndeshje do të mbahet mend jo vetëm për spektaklin që prodhuan dy skuadrat në fushë, por edhe për “helmin” e lojtarëve kundër kundërshtarëve pas vërshëllimës së trefishtë. Situata degjeneroi në sjellë antisportive nga të dy frontet.

Kur Barcelona po festonte me trofeun, telekamerat fiksuan anën e errët të euforisë katalanase, duke shkaktuar indinjatë të thellë te tifozët e Realit. Protagonist negativ ishte Fermin Lopez, që u pa të fyente rëndë sektorin e tifozëve madrilenë. I përqafuar me shokët Lamine Yamal e Casadó, ai lëshoi me zë të lartë frazat: “Merreni këtë! Thitheni…, shkoni në shtëpi!”.

Fermin nuk ishte i vetmi që humbi kontrollin te Barcelona. Sapo u mbyll ndeshja, në përqafimin kolektiv të skuadrës në fushë, kamerat kapën mbrojtësin Pau Cubarsí. Ai ishte i ndarë nga grupi dhe u pa të bënte disa herë “gjestin e ombrellës” drejt tribunës kundërshtare.

Në kampin e Realit ngjalli diskutime sjellja e Kylian Mbappé. Frustrimi i tij shpërtheu gjatë ceremonisë së dhënies së trofeut. Sapo mori medaljen e argjentit, francezi u pa qartë që t’u kërkonte shokëve të skuadrës të largoheshin nga stadiumi për të mos marrë pjesë te festimet e rivalëve.

Ky episod nuk i shpëtoi presidentit të Barcelonës, Joan Laporta, i cili e dënoi veprimin e sulmuesit të Real Madrid. “Më ka befasuar ajo që ka bërë Mbappé. Në sport duhet të jesh korrekt në fitore dhe të kesh respekt në humbje. Ne, kur kemi fituar, e kemi respektuar kundërshtarin. Nuk e kuptoj atë sjellje. Reagimi i tyre lind nga frustrimi i pastër i të parit të realitetit”, – tha Laporta.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme