Irani paralajmëron: Jemi të përgatitur për luftë nëse SHBA ndërhyn

Kriza në Iran po përshkallëzohet me ritme të shpejta, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar se vendi është i gatshëm për luftë në rast se Shtetet e Bashkuara vendosin të ndërhyjnë. Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi deklaroi se Irani nuk kërkon luftë, por është i përgatitur për të nëse SHBA zgjedh të ndërhyjë, duke e vendosur situatën në një pikë tejet të tensionuar.
Protestat, të cilat nisën në fund të dhjetorit si pasojë e krizës ekonomike dhe rënies së ndjeshme të monedhës vendase, janë shndërruar në një lëvizje të gjerë politike kundër regjimit. Sipas organizatave të të drejtave të njeriut, deri më tani janë vrarë afro 500 protestues dhe mbi 10 mijë persona janë arrestuar.
Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se SHBA po shqyrton “opsione shumë të forta” ndaj dhunës së ushtruar mbi protestuesit, duke shtuar presionin ndërkombëtar mbi Teheranin. Ndërkohë, gjyqësori iranian ka paralajmëruar ndëshkime të ashpra ndaj protestuesve, përfshirë akuzën për moharebeh “luftë kundër Zotit” e cila mund të çojë deri në dënim me vdekje.
Situata është përkeqësuar edhe nga bllokimi i internetit, i cili ka izoluar vendin nga raportimet e pavarura. Disa qytetarë kanë arritur të lidhen përmes platformës satelitore Starlink, por frika nga ndëshkimet e qeverisë mbetet e lartë. Protestat janë përhapur në mbi 100 qytete në të gjitha provincat e vendit, ndërsa demonstrata për solidaritet janë zhvilluar edhe jashtë Iranit, ku ambasadat iraniane janë bërë shënjestër e protestuesve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




