113 Vjet Polici Shteti, Proda nderon elitarët e RENEA-s dhe Operacionales

Aktualitet | 10 muaj më parë

Në kuadër të festimeve për 113-vjetorin e themelimit të Policisë së Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka zhvilluar sot një ceremoni vlerësimi për strukturat më nevralgjike të sigurisë dhe oficerët me rezultate të spikatura në luftën ndaj krimit.

Në ceremoninë e zhvilluar në Drejtorinë e Përgjithshme, vëmendjen kryesore e morën dy strukturat elitë të uniformave blu, të cilat u vlerësuan me “Medalje Mirënjohjeje” për operacionet e rrezikshmërisë së lartë të zhvilluara gjatë vitit të fundit.

Kreu i Policisë, Proda, ia dorëzoi Njësisë Speciale RENEA medaljen me motivacionin për profesionalizmin dhe guximin në neutralizimin e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, si dhe për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Gjithashtu, me “Medalje Mirënjohjeje” u vlerësua Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale. Motivacioni për këtë strukturë lidhet drejtpërdrejt me goditjen e krimit të organizuar dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, veçanërisht me rrjetin ENFAST për kapjen e personave të kërkuar.

Oficerët që morën medalje për rezultate të larta

Përveç strukturave, Drejtori i Përgjithshëm vlerësoi individualisht dy drejtues të lartë për kontributin e tyre specifik:

Drejtuese Raimonda Rexha, Këshilltare në Kabinetin e Drejtorit të Përgjithshëm.

Drejtues Arben Ujkaj, Drejtor i Drejtorisë së Rikuperimit të Aseteve.

67 certifikata në të gjithë vendin

Gjatë ceremonisë, Proda dorëzoi personalisht “Certifikatë për Shërbime të Dalluara” për Kryekomisare Irma Çela dhe “Certifikatë Karriere” për Drejtuesin e Parë Ferdinand Mara.

Në total, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm janë akorduar 67 certifikata për punonjës policie në qendër dhe në qarqe (44 për shërbime të dalluara dhe 23 për karrierë), të cilat u shpërndanë nga drejtuesit vendorë.

Sipas kreut të Policisë, këto vlerësime konfirmojnë filozofinë e re të drejtimit, ku puna e ndershme, sakrifica dhe përkushtimi për uniformën do të jenë gjithmonë kriteri i vetëm i vlerësimit dhe shpërblimit.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme