Wall Street paralajmëron Shtëpinë e Bardhë: Mos prekni Rezervën Federale

Ekonomi | 10 muaj më parë

Muaji i mjaltit mes Wall Street-it dhe administratës Trump duket se ka përfunduar. Pas një periudhe mbështetjeje të ndërsjelltë, marrëdhënia është përkeqësuar papritur këtë javë, ndërsa drejtuesit më të lartë të bankave amerikane kanë lëshuar paralajmërime të forta ndaj presidentit.

Shkaku i këtij konflikti të ri janë dy lëvizjae të fundit të Shtëpisë së Bardhë: propozimi për të kufizuar normat e interesit të kartave të kreditit dhe hetimi i nisur ndaj kreut të Rezervës Federale (FED), Jerome Powell.

Sulmi ndaj pavarësisë së Bankës Qendrore

Departamenti i Drejtësisë ka nisur një hetim ndaj Kryetarit të FED, Jerome Powell, një veprim që shumëkush në sektorin financiar e sheh si një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë së institucionit që vendos politikën monetare.

Drejtori Ekzekutiv i BNY, Robin Vince, paralajmëroi se ky sulm nuk i shërben objektivave të qeverisë.

“Kjo nuk na duket se po përmbush objektivat kryesore të administratës për uljen e kostos së huamarrjes apo uljen e kostos së jetesës për amerikanët,” tha Vince. “Le të mos i trondisim themelet e tregut të obligacioneve… sepse ka mungesë besimi në pavarësinë e Rezervës Federale.”

Edhe Jamie Dimon i JPMorgan Chase, megjithëse jo gjithmonë dakord me FED-in, theksoi rëndësinë e respektimit të institucionit: “Nuk pajtohem me gjithçka që ka bërë Rezerva Federale, por kam respekt të madh për Jay Powell.”

Kufiri 10%, një goditje për industrinë e kredisë

Përplasja tjetër e madhe lidhet me propozimin e Presidentit Trump për një kufizim njëvjeçar prej 10% për normën e interesit të kartave të kreditit, që pritet të hyjë në fuqi më 20 janar.

Aktualisht, normat e tregut janë shumë më të larta.

Sipas studiuesve të Universitetit Vanderbilt, ky kufizim do t’u kushtonte bankave rreth 100 miliardë dollarë humbje të ardhurash në vit. Tregjet reaguan menjëherë, me aksionet e gjigantëve si American Express, JPMorgan dhe Citigroup që pësuan rënie të ndjeshme.

Jeffrey Barnum, Drejtori Financiar i JPMorgan, paralajmëroi për efektin bumerang:

“Në vend që të ulë çmimin e kredisë, kjo thjesht do të zvogëlojë furnizimin me kredi, dhe kjo do të jetë keq për të gjithë: konsumatorët, ekonominë në përgjithësi dhe po, edhe për ne.”

Konteksti politik

Presidenti Trump, duke synuar zgjedhjet e mesit të mandatit ku “përballueshmëria” pritet të jetë temë kyçe, ka dyfishuar sulmet e tij. Përmes platformës Truth Social, ai mbështeti gjithashtu “Aktin e Konkurrencës së Kartave të Kreditit”, që synon të ulë tarifat që bankat u marrin tregtarëve.

Kjo luftë e hapur vjen në një moment kritik, kur bankat kryesore po raportojnë rezultatet e tyre financiare, të cilat, ironikisht, kanë qenë pozitive deri në këtë përplasje të re.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme