Përmbytjet në Fier dhe Lushnje, situata drejt normalizimit, nis verifikimi i dëmeve
Situata e përmbytjeve në Qarkun Fier po shkon drejt normalizimit. Ujërat e lumenjve Seman, Shkumbin dhe Vjosë janë rikthyer në shtratin e tyre, duke lënë pas dhjetëra banesa të dëmtuara dhe qindra hektarë tokë bujqësore të mbjella nën ujë.
Në fshatin Hasturkas të Libofshës, një ditë pas përmbytjes nga lumi Seman, uji ka nisur të tërhiqet nga banesat dhe tokat bujqësore. Megjithatë, disa familje ende nuk mund të rikthehen në shtëpitë e tyre, pasi ka prezencë uji në oborre. Banorët kërkojnë bazë ushqimore për blektorinë, pasi rezervat janë dëmtuar tërësisht.
Bashkia Fier ka njoftuar se grupet e verifikimit të dëmeve do të nisin punën pas tërheqjes së ujit nga të gjitha banesat. Në një fazë të dytë do të inventarizohen edhe dëmet në bujqësi dhe blektori.
Përmbytjet nga Semani kanë prekur banesa në Hasturkas, Petovë dhe Mbrostar, si dhe dhjetëra njësi blektorale në Fier, Patos dhe Rroskovec.
Në fshatin Thanasaj të Lushnjës, 20 banesa u rrethuan nga uji, ndërsa qindra hektarë tokë bujqësore në zonat pranë argjinaturës së Shkumbinit janë nën ujë.
Argjinatura e lumit Seman është dëmtuar në dy pika në njësinë administrative Libofsh, duke shkaktuar përmbytjen e tokave bujqësore në fshatrat Ndërnenas, Agim dhe Hasturkas.
Akset nacionale dhe rurale janë të kalueshme normalisht, ndërsa 6 hidrovoret në territorin e qarkut janë në gjendje pune me kapacitet të plotë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



