Nga IEVP Durrës te ai i Peqinit – Transferohen të dënuarit dhe të paraburgosurit me rrezikshmëri të lartë
Në orët e para të datës 15 janar, 33 të burgosur apo të paraburgosur, të cilët vuanin dënimin apo prisnin vendimet e gjykatave në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Durrës, u transferuan për në burgun e Peqinit.
Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari publikoi edhe pamjet e operacionit, i cili u realizua nën masa të rrepta sigurie, ku u çuan drejt IEVP Peqin ata që konsiderohen si të dënuar apo të paraburgosur me rrezikshmëri të lartë.
206 të dënuarit dhe të paraburgosurit që ishin në burgun e Durrësit u futën në “sitë” për të vlerësuar rrezikshmërinë e tyre.
Mes tyre, bëhet me dije se 27 konsiderohen si persona me lidhje të forta me krimin dhe me rrezikshmëri të lartë ndërsa nga numri total 54 janë të dënuar dhe 152 të paraburgosur.
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari urdhëroi Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve që të hartojë një plan të ri dhe të rishpërndajë nëpër seksione të burgosurit, bazuar në rrezikun shoqëror që kanë.
Këto lëvizje erdhën pas pezullimit dhe shkarkimit nga detyra të të gjithë zinxhirit komandues të burgut të Durrësit si dhe arrestimeve pas arratisjes nga spitali të të paraburgosurit, Antin Ndoci.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



