Spiropali: Po reformojmë shërbimin e jashtëm, ligji i ri rrit meritokracinë dhe përgjegjësinë publike

Politikë | 10 muaj më parë

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, pyetur mbi kritikat e artikuluara nga Kryeministri Edi Rama mbi shërbimin diplomatik duke e konsideruar si një “dështim të plotë”, deklaroi se ekziston një kontradiktë mes nivelit të përfaqësimit dhe respektit që Shqipëria ka fituar në arenën ndërkombëtare dhe nevojës për reformim të thellë të shërbimit të jashtëm.

Spiropali u shpreh se është plotësisht dakord me nevojën për ristrukturim dhe reformim të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe të trupës diplomatike, duke nënvizuar se gjatë 100 ditëve të para në krye të institucionit ka konstatuar një potencial të madh profesional brenda ministrisë.

“Ka një kontradiktë mes nivelit të përfaqësimit, respektit që Shqipëria ka krijuar në nivelin ndërkombëtar dhe asaj që u tha mbi nevojën për një strukturim, reformim të shërbimit të jashtëm të trupës diplomatike, të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme me të cilin jam shumë dakord. Në këto 100 ditë që unë drejtoj ministrinë, kam parë njerëz me ekspertizë të jashtëzakonshme, me kontribut të madh në trupën diplomatike”, tha Spiropali, duke shtuar se paralelisht është kryer edhe një analizë e detajuar e nevojave për reformim.

Ministrja bëri të ditur se një nga hapat kyç të reformës është ligji i ri për shërbimin e jashtëm, i cili pritet të kalojë për miratim në Kuvend më 28 janar. Sipas saj, ky ligj do t’i japë më shumë hapësirë meritokracisë, promovimit të talenteve të reja dhe hapjes së Ministrisë së Jashtme ndaj të rinjve dhe profesionistëve që kanë punuar në organizata ndërkombëtare dhe dëshirojnë të kontribuojnë për Shqipërinë.

“Kemi bërë një analizë të nevojave për reformim duke nisur nga ligji për shërbimin e jashtëm i cili kallon në Kuvend  në 28 janar që do ti japë më shumë hapësirë meritokracisë, promovimit të talenteve të reja, hapjes së ministrisë së jashtme dhe trupës diplomatike për të rinj apo kontributor të tjerë që kanë punuar në organizata ndërkombëtare dhe duan të hapin një shërbim për Shqipërinë. Kam vënë re që Ministria e Jashtme duhet të ngrihet në një nivel të ri përgjegjësie publike, jo vetëm sa i takon reformës dhe ligjin”, përfundoi ministrja.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme