Trump konfirmon se e ftoi Putinin të bashkohet me ‘Bordin e Paqes’

Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi se ka ftuar homologun e tij rus, Vladimir Putin, të bashkohet me nismën e tij të re, të quajtur “Bordi i Paqes”.
“Po, ai është ftuar”, tha Trump për gazetarët në Florida, kur u pyet nëse i kishte kërkuar Putinit të bëhej pjesë e këtij organi.
Trump paralajmëroi gjithashtu vendosjen e një tarife prej 200% për verërat dhe shampanjat franceze, duke pretenduar se ky veprim do ta detyronte Presidentin francez Emmanuel Macron të merrte pjesë në iniciativën e tij.
Kur u pyet nëse Macron kishte refuzuar ftesën, Trump u përgjigj: “A e tha ai këtë? Askush nuk e do atë, sepse ai do të largohet nga detyra shumë shpejt. Do të vendos një tarifë prej 200% për verërat dhe shampanjat e tij, dhe ai do të bashkohet, por nuk është i detyruar të bashkohet.”
Megjithatë, sipas një burimi pranë Macron, Franca synon të refuzojë ftesën për t’u bashkuar me këtë iniciativë në këtë fazë.
Trump e propozoi për herë të parë krijimin e “Bordit të Paqes” në shtator, kur shpalli planin e tij për t’i dhënë fund luftës në Gaza. Ftesa e fundit, e dërguar udhëheqësve botërorë javën e kaluar, përshkruan një rol më të gjerë të bordit në zgjidhjen e konflikteve globale.
Sipas një draft-kartë të parë nga Reuters, administrata amerikane u ka kërkuar rreth 60 vendeve të kontribuojnë me 1 miliard dollarë në para të gatshme, nëse duan që anëtarësimi i tyre të zgjasë më shumë se tre vjet.
Diplomatët ndërkombëtarë reaguan me kujdes ndaj ftesës, duke paralajmëruar se plani i Trump mund të dëmtojë punën e Kombeve të Bashkuara.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




