Denoncimi ndaj gjyqtares Irena Gjoka, SPAK: Çështja është nën hetim

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njofton se çështja e gjyqtares së GJKKO-së, Irena Gjoka, është në hetim, por nuk mund të jepen më shumë detaje për shkak të sekretit hetimor.
Hetimi ndaj gjyqtares Gjoka u nis në qershor të vitit 2025 për veprën penale falsifikim i vulave, stampave ose formularëve, pas denoncimeve të bëra nga kreu i PD, Sali Berisha.
“Në përgjigje të kërkesës suaj, çështja është në fazën e hetimeve paraprake. Bazuar në nenet 103 dhe 279 të Kodit të Procedurës Penale, veprimet hetimore që kryhen në këtë fazë përbëjnë sekret hetimor. Duke iu referuar këtyre neneve, nuk mund të bëjmë me dije veprimet hetimore apo rezultatet e tyre,” njofton SPAK.
Gjatë ditës së sotme, Prokuroria e Përgjithshme ka verifikuar dhe më pas miratuar rezultatet e verifikimit të deklarimeve të bëra në Formularin e Vetëdeklarimit në vitin 2016 nga gjyqtarja Irena Gjoka dhe i janë përcjellë më pas Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili do të marrë vendimin përfundimtar në lidhje me gjyqtaren.
Sipas burimeve për RTSH, Prokuroria e Përgjithshme ka konstatuar se dokumenti i publikuar është autentik dhe se gjyqtarja Irena Gjoka ka qenë e dënuar në Greqi, fakt që ajo nuk e ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



