Avokati Petraj: Ja ç’po ndodh me dosjet e politikës, Veliaj, Meta e Berisha
Avokati Edmond Petraj, gjatë një interviste në emisionin “Tema e Ditës” me Arbër Hitaj në RTSH, ka komentuar zhvillimet më të fundit lidhur me dosjet e nxehta të politikës që po hetohen nga SPAK, si dhe çështje të tjera të ndjeshme në sistemin e drejtësisë.
Sipas Petraj, dosja “Berisha” ka kaluar për gjykim të zakonshëm dhe pritet që në proces të thirren si dëshmitarë apo persona që kanë dijeni mbi çështjen, disa figura të rëndësishme politike.
Ndërkohë, dosja “Meta” pritet të shqyrtohet në seancë paraprake, ndërsa në dosje është administruar edhe një provë shtesë, e cila sipas informacioneve ka ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sa i përket dosjes “Veliaj”, avokati theksoi se pas përfundimit të seancës paraprake, çështja do të kalojë për gjykim të zakonshëm, pasi nuk pritet që të kërkohet gjykimi i shkurtuar.
“Dosja “Berisha” ka kaluar për gjykim të zakonshëm dhe pritet që shumë personazhe politike të thirren si dëshmitarë apo si persona që kanë dijeni mbi çështjen. Dosja “Meta” pritet të shqyrtohet në seancë paraprake dhe ka një provë shtesë që, sipas informacioneve, ka ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dosja “Veliaj” do të ndalet në pikën ku, pas kalimit të seancës paraprake, gjykimi do të vazhdojë në shqyrtim të zakonshëm, pasi nuk pritet të kërkohet gjykimi i shkurtuar.
Dosja “Balluku” Problemi shihet si një goditje politike, por në thelb bëhet fjalë për një marrëdhënie kushtetuese, lidhur me mënyrën se si është kërkuar pezullimi. Pezullim nuk ka. Emërimi dhe shkarkimi bëhen nga Kryeministri dhe drejtësia nuk ka tagër kushtetues për të ndërhyrë në ekzekutiv.
Çdo ministër gëzon imunitet si deputet, edhe pse nuk është pjesë aktive e Parlamentit. Lëvizja e drejtë do të kishte qenë që çështja të ishte çuar drejtpërdrejt në Parlament. Marrëdhënia tjetër lidhet me vendosjen e një vije të qartë ndarëse mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor. Megjithatë, kemi ende paqartësi në Kodin e Procedurës Penale, i cili ka lënë hapësira për diskutim dhe për ndodhjen e këtyre gabimeve. Nuk kemi lajthitje juridike, por mangësi ligjore”, tha avokati.
Duke komentuar rastin e gjyqtares Irena Gjoka, Petraj u shpreh se po tentohet që ajo të bëhet “kokë turku”, ndërkohë që, sipas tij, faktet tregojnë të kundërtën. Ai theksoi se nuk ka pasur viza të falsifikuara dhe se ndalimet në kufi kanë qenë veprime arbitrare të policisë greke në atë periudhë, pa pasoja penale apo administrative.
“Për gjyqtaren Irena Gjoka kërkohet të bëhet “kokë turku” nga ata që pretendojnë se ajo ka shkelur ligjin. Nga informacionet që unë disponoj, e vërteta nuk është kështu. Së pari, nuk ka viza të falsifikuara, por janë viza njëvjeçare të marra nga Ambasada Greke në Tiranë. Në atë rutinë të caktuar, pala greke vendoste kryq dhe marrëdhënia që ka ndodhur me Irena Gjokën dhe bashkëshortin e saj lidhet me faktin se policia kufitare greke, në atë kohë, u ka vënë kryq pa i parë fare, siç u ndodhte shumë shqiptarëve në atë periudhë.
Edhe në rastin e vizës së dytë kemi një veprim arrogant, ku nuk lejohet hyrja në Greqi. Në këtë marrëdhënie nuk kemi as dëbim dhe as ndalim apo masë administrative për kalimin e kufirit. Prokuroria ka dërguar një person që nuk është as avokat për të sqaruar këtë element, duke fotografuar vizën dhe duke ia dërguar Ministrisë së Brendshme. Pas verifikimit, rezulton se viza është e saktë. Në të gjitha deklarimet e pasurisë që Gjoka ka bërë, kemi procesin e vettingut, ku ajo ka pasqyruar të vërtetat ashtu siç kanë qenë. Në momentin që i ka deklaruar, nuk është gjetur asnjë fakt që ajo të ketë dëbim, dënim apo masë ndaluese.
Për zonjën Gjoka nuk ka ekzistuar asnjë dosje penale dhe asnjë numër procedimi penal nuk ekziston në sistem. Dyshohet se kjo dosje është futur qëllimisht dhe është prodhuar nga klane antishqiptare në Athinë dhe në Shqipëri, duke krijuar këtë falsifikim të jashtëzakonshëm. Zonja Gjoka është e pastër në atë që ka deklaruar dhe KLGJ do të mbajë përgjegjësi historike nëse bie pre e atyre sorrogatëve që kanë marrë përsipër të përfaqësojnë klane antishqiptare në Athinë”, tha avokati.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



