Kthesë historike në Venezuelë, Parlamenti hap tregun e naftës për privatët, merr fund monopoli 25-vjeçar i Çavizmit

Amerikë | 8 muaj më parë

Venezuela, vendi me rezervat më të mëdha të naftës në botë, ka marrë një vendim që shënon fundin e një epoke ideologjike dhe ekonomike. Parlamenti i vendit miratoi këtë të enjte (29 janar 2026) një reformë radikale që i hap dyert kapitalit privat në sektorin e naftës, duke zhbërë kështu politikën e “kontrollit të ngurtë shtetëror” të vendosur nga Hugo Çavez dhe pasuesit e tij prej më shumë se çerek shekulli.

Ligji, i cili kaloi në lexim të dytë në Asamblenë Kombëtare, tashmë pret vetëm vulën finale: nënshkrimin ekzekutiv nga Presidentja e përkohshme de facto, Delcy Rodríguez, për të hyrë zyrtarisht në fuqi.

Ajo që e bën këtë vendim historik është fakti se u votua nga vetë Partia Socialiste e Bashkuar e Venezuelës (PSUV), forca politike e themeluar nga Çavez, e cila gëzon shumicën në Asamble. Deputetët socialistë, të cilët për dekada kanë shtetëzuar asete dhe kanë demonizuar kapitalin privat në sektorin strategjik energjetik, miratuan liberalizimin e tregut.

Kjo lëvizje shihet nga vëzhguesit ndërkombëtarë si një pranim i heshtur i dështimit të modelit të centralizuar, i cili, i kombinuar me sanksionet dhe keqmenaxhimin, e kishte çuar industrinë e naftës të Venezuelës (PDVSA) drejt kolapsit total teknik dhe financiar.

Masa e re ligjore thyen tabunë e madhe të Çavizmit. Shteti nuk do të jetë më i vetmi operator në fushat naftëmbajtëse. Kompanitë ndërkombëtare dhe investitorët privatë do të kenë të drejtë të zotërojnë aksione dhe të menaxhojnë operacione, me shpresën për të sjellë kapitalin dhe teknologjinë e munguar.

Tani sytë janë drejtuar nga pallati presidencial “Miraflores”, ku Delcy Rodríguez pritet të hedhë firmën që do të zyrtarizojë këtë ndryshim drastik kursi, në një përpjekje për të ringjallur “zemrën” e ekonomisë venezueliane në vitin 2026.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme