Luftëtari dhe Kukësi përforcohen para sfidave të javës së 20-të

Dy nga skuadrat që luftojnë për mbijetesë në Kategorinë e Parë, Luftëtari dhe Kukësi, kanë bërë nga një afrim para ndeshjeve të javës së 20-të, që nisi sot me Skënderbeu-Kastrioti. Gjirokastritët kanë forcuar mbrojtjen, kurse kuksianët sulmin.
“Klubi njofton afrimin e mbrojtësit Amdy Diallo, 19 vjeç, i cili bashkohet me ekipin bluzi në formë huazimi nga Partizani. Një mbrojtës me perspektivë dhe cilësi, Diallo vjen për të shtuar konkurrencën dhe stabilitetin në repartin difensiv”, – shkruan klubi gjirokastrit për afrimin e mbrojtësit Diallo.

Kukësi ndërkohë ka marrë sulmuesin brazilian Alisson dhe mesfushorin Halilaj. “Futboll Klub Kukësi njofton se sulmuesi i djathtë Matheus Alisson Oliveira dos Santos është zyrtarisht pjesë e skuadrës sonë. 23-vjeçari vjen nga kampionati i Kosovës, ku është aktivizuar me Gjilanin, KEK-un e Trepçen dhe do të jetë gati për ndeshjen e radhës. Edhe mesfushori Arsel Halilaj është zyrtarisht pjesë e Kukësit. 22-vjeçari ka luajtur më parë me Teutën dhe Korabin”, – njofton klubi verior.
Kukësi pret Besën për javën e 20-të, kurse Luftëtari luan në fushën e Laçit. Këto dy skuadra mbyllin tabelën e renditjes dhe çdo pikë është jetike për objektivin e mbijetesës.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




