Kthupi në “3D”: Problemi i politikës shqiptare është mungesa e besimit mes palëve
Avokati Rezart Kthupi, i ftuar në studion e emisionit “3D” nga Alban Dudushi në RTSH 1, u ndal te mënyra se si kanë funksionuar ndër vite komisionet parlamentare dhe proceset reformuese në Shqipëri, duke theksuar se problemi kryesor mbetet mungesa e besimit mes palëve politike.
Sipas Kthupit, i vetmi rast kur një reformë u miratua pa konsensus ishte Reforma Territoriale e vitit 2014, e realizuar nga Partia Socialiste për shkak të mungesës së Partisë Demokratike në komision.
“Problemi është se palët hyjnë në diskutim me keqbesim dhe kjo është shprehja më e saktë që mund të themi. I vetmi rast që është Komisioni i reformës Territoriale është ai i vitit 2014 që PS për shkak të mungesës së PD vendosi të bënte reformën territoriale. Në të gjithë rastet e tjera që kemi, të gjitha komisionet parlamentare kanë funksionuar mbi një bazë negocimi. Që do të thotë se është e vërtet që ti shkon në komision dhe asnjë nga palët ka pozita të hekurta, negociohet, diskutohet dhe gjendet një dakordsi”, u shpreh avokati.
Avokati nënvizoi gjithashtu se, teknikisht, Partia Socialiste ka numrat për të realizuar reforma edhe pa opozitën, por vendosja e paritetit në komisione i jep opozitës hapësirë reale për diskutim dhe ndikim.
“Dhe e fundit strukturë e posaçme parlamentare bipartizane ishte ajo e vitit 2024 për kodin zgjedhor që produktin e pati konsesual. Nuk është se dy partitë nuk arrijnë të gjejnë dot konsensusin, çështja është, sot që komisioni nuk ka filluar askush nuk është në gjendje të thotë se kush është produkti, PS mund ta bëjë reformën edhe vetëm dhe s’ka nevojë fare për PD. Fakti që merr në komision mini konsensus është dhe ky dhe PS s’ka pse të respektoj paritetin në komision kur është ndarja parlamentare, por vendosja e paritetit i jep opozitës forcën për të diskutuar”, tha Kthupi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




