Gjykatësit kërkojnë paga më të larta, Rama: E papranueshme, po kërkoni dhe për ata që nuk kanë kaluar vettingun
Kryeministri Edi Rama e ka konsideruar të papranueshme kërkesën e Shoqatës Kombëtare të Gjykatësve për rritje pagash edhe për ata gjyqtarë që nuk e kanë kaluara procesin e vettingut. Duke iu referuar kërkesës për rritje pagash, Rama tha se ata që janë larguar nga vettingu ishin “gjakpirës dhe korruptues”, të sistemit të drejtësisë dhe se nuk mund të përfitojnë nga taksapaguesit shqiptarë.
“Ju keni kërkuar rritje pagash për gjykatësit që janë larguar nga vettingu, pasi nuk ishin të denjë për drejtësinë. Ju kërkoni që taksapaguesit shqiptarë të paguajnë paga më të larta për gjykatësit që janë larguar nga vettingu për shkak të pasurive të pajustifikueshme. Ju kërkoni paga më të larta për ata që janë korruptuar dhe që kanë dëmtuar sistemin e drejtësisë, duke i barazuar me ata që kanë kaluar vettingun. Pushteti që ju keni sot duhet t’i shërbejë shqiptarëve, për të garantuar pavarësinë dhe barazinë para ligjit. Kjo është ajo që ata kanë ëndërruar dhe që nuk e kanë pasur kurrë, e as që e kanë ende sot. Duhet t’i garantoni shqiptarëve këtë barazi para ligjit. Kush jeni ju që diskutoni sinqeritetin e një pushteti kushtetues, që buron nga vota dhe balanca politike? Po përdorni një gjuhë të papranueshme, që shkel çdo etikë gjyqësore. Nuk ka pasur asnjë lloj suprimimi nga Këshilli i Ministrave për një pozicion të quajtur Drejtor i Përgjithshëm, pasi nuk ka ekzistuar asnjë pozicion i tillë në Këshillin e Ministrave. Më lini të flas sinqerisht dhe të ndaloni me këto fjalë që përhapin dezinformata”, tha Rama.
Kryeministri Rama kritikoi ashpër edhe gjuhën e përdorur nga Shoqata e Gjykatësve, duke e cilësuar si të papranueshme dhe që shkel etikën gjyqësore. Ai e ka theksuar se gjykatësit, si pjesë e një institucioni të pavarur, nuk mund të përdorin gjuhë që i ngjason të një partie politike.
Në lidhje me kërkesat për më shumë epërsi për gjykatësit, Rama tha se kjo “epërsi” i është dhënë vetëm GJKKO dhe SPAK, për shkak të funksionit të rëndësishëm që ato ushtrojnë për transformimin e shtetit shqiptar.
“Nga mënyra se si arsyetoni, varen fatet e shqiptarëve, dhe kjo është e papranueshme. Ju nuk mund ta bëni këtë pa pasur prova dhe fakte. Ju nuk jeni parti politike që mund të flisni duke dhënë opinione të tilla në publik. Ju jeni gjykatës, si mund të flisni kështu dhe të hidhni baltë mbi qeverinë e kësaj republike me këtë lloj retorike? Po nxirrni një dokument të vetëm që tregon përkeqësimin e pozicionit tuaj financiar. Këto janë thjesht shpifje. Nxirrni një dokument që të vërtetoni se nuk jeni parti politike, që mund të bëni deklarata të tilla publike. Këto deklarata bëhen vetëm kur ju cenohet pozicioni nga ndonjë rrezik apo faktor, por nga kjo mazhorancë nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë kurrë. Ju jeni totalisht të pavarur, por a jeni të paanshëm? Këtë duhet ta shihni te vetja. Jo të dilni në publik dhe të publikoni flet-rrufe. Nuk mundet ju të keni pafundësisht epërsi mbi gjithë shoqërinë shqiptare dhe piramidën e shtetit. Nuk ka asnjë vend në botë ku një kategori e caktuar e shoqërisë të ketë epërsi të tillë. Kjo epërsi është dhënë GJKKO dhe SPAK për shkak të funksionit të veçantë që ushtrojnë, dhe ajo është një strukturë e caktuar që ushtron një mision strategjik për transformimin e shtetit shqiptar. Ata ndodhen shpesh në situata presioni dhe rreziku për jetën e tyre, përballë grupeve kriminale, por ju çfarë shqetësimi keni?”, tha Rama.
Në fund, Rama ka kërkuar nga gjykatësit të ndalin me këtë lloj fjalimi dhe të respektojnë ligjin dhe etikën profesionale. Ai ka theksuar se Shoqata nuk mund të flasë si një parti politike dhe se nuk mund të bëjë deklarata publike që mund të dëmtojnë besimin e qytetarëve në drejtësi.
“Ju doni që Shqipëria të bëhet republika e parë në botë që paguan gjykatësit si një kastë të privilegjuar, me rroga që rriten vazhdimisht, ndërkohë që pjesa tjetër e shoqërisë do të vazhdojë të mbetet në varfëri. Kjo politikë është e pabazuar dhe duhet ta pranoni si të tillë. Si Kryeministër, për të mbrojtur interesin publik, nuk mund të lejoj që të cenohet stabiliteti i këtij sistemi, dhe as ju dhe as kush tjetër nuk mund të heshtni për këtë. Shoqata e Unionit që ka bërë të gjithë pavlefshmërinë është e papërgjegjshme, pasi nuk ka pasur sigurime tatimore dhe shoqërore, ndërsa një shoqatë tjetër nuk ishte fare e regjistruar as në tatime dhe as në Qendrën Kombëtare. Gjykata Kushtetuese nuk i mori në konsideratë këto fakte dhe nuk duhej t’i merrte fare si referencë, pasi nuk janë në përputhje me ligjin.
Ju jeni arrogantë dhe keni një arrogancë që vjen nga mendësia e një pushteti që trajtohet si i pakufizuar dhe i pakontrollueshëm. Unë jam palë dhe flas në emër të një pale. Ju nuk jeni palë dhe nuk mund të flisni si pjesë e një pale”, tha ai.
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve reagoi mbrëmjen e djeshme pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama se gjyqtarët po kërkojnë rritjen e pagave të tyre, një kosto që sipas tij do t’i kushtonte buxhetit të shtetit 37 milionë euro.
Në reagimin e saj, Shoqata e Gjyqtarëve e cilësoi këtë fushatë si një “tymnajë populiste”, e cila, sipas tyre, synon linçimin e gjyqtarëve dhe shoqatave të tyre në lidhje me një proces gjyqësor kushtetues që ndodhet në fazën e vendimmarrjes përfundimtare në Gjykatën Kushtetuese.
Shoqata thekson se nuk ka për qëllim rritjen e pagave, por mbrojtjen e nenit 138 të Kushtetutës, i cili garanton se paga dhe përfitimet e gjyqtarëve nuk mund të ulen. Në reagim akuzohet për ndërhyrje të përsëritura të qeverisë dhe Kuvendit që prej vitit 2016 që, sipas tyre, kanë cenuar statusin financiar dhe pavarësinë e magjistratëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




