Priten bisedime SHBA-Iran, negociatat do të mbahen edhe pasi avioni amerikan rrëzoi një dron iranian
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt njoftoi se I dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff, pritet të zhvillojë negociata me palën iraniane në fund të kësaj jave pavarësisht incidentit të së martës, kur një avion luftarak amerikan rrëzoi një dron iranian që iu afrua aeroplanmbajtëses amerikane në Lindjen e Mesme.
“Një avion luftarak F-35C rrëzoi dronin iranian në vetëmbrojtje”- tha në një deklaratë Komanda Qendrore amerikane. Aeroplanmbajtësja “Abraham Lincoln” u dërgua në Detin Arabik muajin e kaluar pas një pranie të shtuar forcash amerikane rreth Iranit.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara po negociojnë me Iranin, pas kërkesës së Teheranit që bisedimet e planifikuara të mbahen në Oman në vend të Turqisë dhe që fushëveprimi i tyre të ngushtohet.
Negociatat pritet të mbahen të premten, por Trump refuzon të përjashtojë ndërhyrjen ushtarake dhe homologu i tij iranian, Masoud Pezeshkian këmbëngul se bisedimet do të vazhdojnë vetëm nëse nuk përmbajnë kërcënime. Irani ka theksuar vazhdimisht se çdo bisedim duhet të përqendrohet vetëm në çështjen bërthamore dhe jo në programin e tij raketor apo aftësitë e tij mbrojtëse.
SHBA kundërshton programin bërthamor të Iranit, të cilin e konsideron si pararendës për blerjen e armëve bërthamore, ndërsa Teherani këmbëngul se ai është për qëllime kërkimore civile. Uashingtoni kërkon gjithashtu që të kufizojë mbështetjen e Iranit për forcat në rajon dhe të reduktojë arsenalin e tij të raketave balistike.
Ndërsa Trump dhe Pezeshkian këmbëngulën se ishin të përkushtuar ndaj bisedimeve, forcat amerikane dhe iraniane u përballen gjatë të martës në det. Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi se një anije cisternë me flamur amerikan u sfidua nga anije luftarake iraniane në Ngushticën e Hormuzit.
Shtetet e Bashkuara bombarduan uzinat bërthamore të Iranit verën e kaluar dhe kanë dërguar një grup luftarak detar në rajon që nga shtypja vdekjeprurëse e protestave antiqeveritare nga Teherani.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




