Pritet rishikimi i ligjit “Për të huajt”- Lehtësime për vizat, lejet unike dhe punëtorët shtëpiakë
Ministria e Brendshme ka hedhur për konsultim publik një projektvendim, i cili pritet që të sjellë rishikimin e ligjit “Për të Huajt”.
Në relacionin shpjegues, saktësohet se, ky projektvendim parashikon shtesa dhe ndryshime të ligjit aktual dhe synon të rregullojë kriteret, procedurat dhe dokumentacionin për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë.
Sipas relacionit shpjegues, projektvendimi ka karakter teknik, por me ndikim të drejtpërdrejtë praktik, pasi adreson problematikat e hasura gjatë zbatimit të rregullave aktuale, veçanërisht në aplikimet online për vizë, leje qëndrimi dhe leje unike, si dhe në dokumentacionin e kërkuar për kategori të veçanta të të huajve.
Një nga risitë kryesore lidhet me lehtësimin e regjimit të vizave.
Projektvendimi parashikon që shtetasit e vendeve të treta, të pajisur me vizë shumëhyrëse ose leje qëndrimi të vlefshme të lëshuar nga një shtet anëtar i Bashkimit Evropian, të përjashtohen nga detyrimi për vizë për hyrje dhe qëndrim në Shqipëri deri në 90 ditë brenda 180 ditëve, për qëllime të barasvlershme me vizën e tipit “C”. Ky ndryshim synon harmonizimin e praktikave shqiptare me standardet evropiane dhe lehtësimin e lëvizjes së ligjshme.
Paralelisht, projekti rishikon dhe saktëson dokumentacionin bazë për pajisjen me vizë, duke kërkuar që aplikuesit të paraqesin leje qëndrimi mbi 12 muaj në vendin ku kanë rezidencë të ligjshme, ose alternativisht viza të mëparshme apo aktuale Shengen, amerikane, britanike apo shqiptare.
Qëllimi është forcimi i verifikimit të statusit ligjor dhe historikut të udhëtimit të aplikuesve.
Ndryshime të rëndësishme prekin edhe vizat e tipit “D” dhe lejen unike, ku përmirësohet dhe standardizohet dokumentacioni për kategori si bashkimi familjar, studimi, sportistët dhe punësimi sezonal.
Një element i ri është formalizimi i kategorisë “punëtor shtëpie”, të cilët duhet të kenë vizë të tipit “D”ashtu edhe për lejen unike.
Risi tjetër është edhe detyrimi për paraqitjen e certifikatës së gjendjes gjyqësore, të lëshuar jo më herët se 6 muaj nga data e aplikimit, për të gjitha kategoritë e lejeve, me përjashtim të të miturve nën 16 vjeç dhe personave mbi 75 vjeç.
Një tjetër risi është përcaktimi i qartë i lejes provizore të qëndrimit, e cila lëshohet pas pranimit të kërkesës dhe zgjatet deri në marrjen e vendimit përfundimtar. Po ashtu, tarifa e lejes së qëndrimit do të jetë e vlefshme për 30 ditë në rast riaplikimi pas refuzimit, një rregull që nuk ekzistonte më parë.
Projektligji parashikon përmirësime në formularët elektronikë të e-Albania, me synim shmangien e dublikimeve dhe rritjen e funksionalitetit të aplikimeve online.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



