Përfundon takimi SHBA-Iran në Oman – Palët ranë dakord të vijojnë bisedimet 

Botë | 9 muaj më parë

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, e përshkroi të premten atmosferën e bisedimeve në Oman me Shtetet e Bashkuara si pozitive, me të dyja palët që ranë dakord të vazhdojnë me negociatat. “Në një atmosferë shumë pozitive, shkëmbyem argumentet tona dhe u njohëm me pikëpamjet e palës tjetër, gjë që ishte shumë e rëndësishme”- u shpreh ai për televizionin shtetëror iranian, duke shtuar se të dy palët kishin rënë dakord të vazhdonin negociatat.

“Do të vendosim për modalitetet dhe kohën në një datë të mëvonshme”- nënvizoi Aragchi. “Nëse mund të ecim në këtë rrugë pozitive, mund të them se mund të arrijmë një kornizë pozitive në lidhje me bisedimet bërthamore midis Iranit dhe SHBA-së”- theksoi kryedipomati iranian. Aragchi shtoi se gjatë ditës u zhvilluan disa takime indirekte në kryeqytetin e Omanit.

“Bisedimet do të vazhdojnë, por konsultimet në kryeqytete do të përcaktojnë detajet.”- u shpreh ai pa specifikuar për kryeqytetet e cilave vendeve bëhej fjalë. Si pjesë e negociatave për programin bërthamor të Iranit Badr bin Hamad Al Busaidi, Ministri i Punëve të Jashtme të Omanit mëngjesin e së enjtes zhvilloi konsultime të ndara si me delegacionin e Republikës Islamike që kryesohej nga  ministri i Jashtëm Abbas Araghchi ashtu edhe me palën amerikane që përfaqësohej me këshilltarët e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, Steve Witkoff dhe dhëndrin e tij Jared Kushner.

Kryediplimati i Omanit tha se vend i tij ndërmjetësoi bisedime shumë serioze mes Iranit dhe SHBA-së. “Ne synojmë të takohemi përsëri në kohën e duhur, me rezultatet që do të shqyrtohen me kujdes në Teheran dhe Uashington”, shtoi ai, pa dhënë një afat kohor të saktë se kur mund të zhvillohet raundi i ardhshëm i diskutimeve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme