Bregu në “3D” në RTSH: Rama reagon emocionalisht ndaj drejtësisë, ndryshimet në ligj nuk kanë fuqi prapavepruese, BE-SHBA do të reagojnë për krijesën e tyre SPAK
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk arriti të krijonte shumicën për të zgjidhur konfliktin e kompetencave mes Kryeministrit dhe SPAK-ut, është komentuar në emisionin “3D” në RTSH.
Analisti Zylyftar Bregu, i ftuar në panel, e cilësoi reagimin e kryeministrit Edi Rama si emocional dhe jo racional. Sipas tij, tentativa për të ndryshuar ligjet procedurale tani, nuk do të ketë efekt mbi çështjet e hapura, duke përmendur specifikisht rastin e zëvendëskryeministres.
“Ndryshimet ligjore që artikulohen se do të bëhen, nuk kanë fuqi prapavepruese dhe nuk e zgjidhin çështjen Balluku,” theksoi Bregu. Ai argumentoi se Rama po tregohet i pasinqertë kur flet për procedura, pasi mazhoranca i kishte gati ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale kohë më parë, por ato u kritikuan nga Bashkimi Evropian.
Për analistin, Edi Rama i ka numrat në Parlament për të miratuar çdo ndryshim që dëshiron, por pyetja që shtrohet është kostoja politike.
“Rama mund t’i bëjë ndryshimet, por me çfarë kosto? Pavarësisht kostove për integrimin, kjo është çështje tjetër. BE dhe SHBA do të reagojnë për krijesën e tyre që është SPAK,” paralajmëroi Bregu.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




