“Mjedisi kushton 9.8 mld euro”, Jaupaj: Kapitulli 27, më i vështiri dhe më i kushtueshmi

Ekonomi | 9 muaj më parë

Kapitulli 27 konsiderohet ndër më sfiduesit për vendet kandidate, për shkak të volumit të madh të legjislacionit, numrit të lartë të direktivave dhe kostove shumë të mëdha financiare që kërkon zbatimi i standardeve europiane.

“Ka një vlerë të caktuar nga ekspertët që shkon rreth 9.8 miliardë euro. Por kjo përfshin të gjithë fushëpamjen e çështjeve mjedisore”, thotë ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj.

Ministri Jaupaj u ndal edhe te reforma në menaxhimin e mbetjeve, e cila tashmë ka përmbyllur fazën e parë.

“U miratua ligji i ri për menaxhimin e integruar të mbetjeve, për përgjegjësinë e prodhuesit, u krijuar operatori I krijimit të mbetjeve”, thekson ai.

Kjo shoqëri parashikohet të garantojë cilësi të njëjtë në trajtimin e mbetjeve në të gjithë territorin.

“Bashkitë do të vijojnë të jenë përgjegjëse për menaxhimin e mbetjeve në territorin e tyre, por trajtimin fundor, në landfille, në incinerator do të kryhet nga operatori i trajtimit të mbetjeve”, thotë ai.

Ministri u ndal gjithashtu te çështja e depozitimit të mbetjeve të rrezikshme në Porto Romano, ku sipas Jaupajt tashmë ekzistojnë dy alternativa për asgjësimin e tyre.

“Nëse do të vlerësohet që do të ketë një eksport të këtyre mbetjeve në subjekte të huaja, Ministria e Mjedisit do të angazhohet për të plotësuar të gjithë dokumentacionin ligjor nëse do të duhet që këto mbetje të asgjësohen në territorin e Shqipërisë, Ministra është po ashtu e gatshme të japë mbështetjen e saj”, nënvizon ministri.

Ministri Jaupaj bëri të ditur se në fokus të procesit negociues me Brukselin ka qenë edhe sigurimi i kohës së mjaftueshme për bizneset, në mënyrë që ato të përshtaten me legjislacionin europian.

Gazetar: Omer Saraci

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme