Rusia sulmon Odesën, shënjestroi infrastrukturën energjetike dhe portuale të Ukrainës
Sulmet ajrore ruse në të gjithë Ukrainën gjatë natës, të cilat shënjestruan qytetin portual të Odesës dhe infrastrukturën energjetike shkaktuan humbje jete dhe të plagosur.
“Rusia nisi sulme masive kundër infrastrukturës portuale dhe hekurudhore”, tha zv.kryeministri Oleksij Kuleba, duke shtuar se u sulmua edhe rrjeti hekurudhor në rajonin e Dnipropetrovskit. Portet janë arteriet kryesore detare të eksportit të Ukrainës, thelbësore për tregtinë e saj të jashtme dhe mbijetesën e ekonomisë së saj në kohë lufte. Në orët e vona të së enjtes, në qytetin lindor të Kramatorskut, autoritetet lokale konfirmuan vrasjen e 3 personave, mes tyre edhe një të mituri.
Autoritetet ukrainase bën me dije se viktimat ishin dy 19-vjeçarë binjakë dhe vëllai i tyre 8-vjeçar. Ndërkohë në Rusi, dronët ukrainas goditën shtëpi dhe infrastrukturë industriale në rajonin jugor të Volgogradit, duke shkaktuar të plagosur, sipas autoriteteve vendore. Moska ka shtuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, ndërsa Kievi ka shënjestruar objektet ruse të naftës. Forcat ajrore të Ukrainës thanë se Rusia lëshoi gjithsej 154 dronë dhe një raketë balistike drejt Ukrainës gjatë natës. “Mbrojtja ajrore rrëzoi ose neutralizoi 111 prej tyre”, tha ajo.
Kompania kryesore private e energjisë në Ukrainë tha se dëmi në infrastrukturën energjetike në qytet ishte jashtëzakonisht serioz dhe riparimet kërkojnë shumë kohë. Sulmet vijnë ndërsa përpjekjet e udhëhequra nga SHBA-të për t’i dhënë fund luftës vazhdojnë dhe bisedimet e fundit trepalëshe ende nuk kanë sjellë përparim.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




