Takimi me banorët e Durrësit që preken nga TID, Rama: Projekti nuk ndalet. Do të rivlerësojmë banesat

Aktualitet | 9 muaj më parë

Takimi i kryeministrit Edi Rama me banorët e Durrësit të prekur nga projekti TID ka përfunduar. Në një prononcim për mediat, kryeministri e vlerësoi bisedën si konstruktive, duke theksuar se do të kryhen verifikime për disa nga banesat që mund të kenë vlera të trashëgimisë kulturore.

Rama sqaroi gjithashtu se do të rishikohet statusi i disa shtëpive që nuk disponojnë hipotekë, dhe do të rishikohen referencat e reja përsa i përket vlerës së dëmshpërblimit të tyre. Kryeministri theksoi se projekti TID do të vijojë.

“Sa i përket problemit të qytetarëve dhe projektit kemi rënë dakord si do shkojmë përpara, qoftë me verifikimin e nevojshëm për disa objekte që mund të kenë vlera  të trashëgimisë kulturore, qoftë me disa variante për shpronësimin dhe dëmshpërblimin. Projekti nuk do ndalet, do të zbatohet, por do bëjmë një verifikim për disa shtëpi që pretendohet se janë trashëgimi kulturore. Janë edhe një grup i vogël shtëpisë që nuk kanë marrë regjistrimin enë hipotekë, pavarësisht se janë aty prej shumë vitesh. Kemi diskutuar edhe çështjen e çmimit dhe do të duhet të shohim referencat e reja”, tha Rama.

Kryeministri kritikoi disa individë që sipas tij nuk përfaqësojnë as qytetin e as qytetarët, por “hallet” e PD-së.

“Me 34 qytetarë të Durrësit, përfaqësues të familjeve që kanë këtë problematikë kemi folur rreth 2 orë e gjysmë. Biseda ka qenë absolutisht konstruktive. 35 të tjerë atje që nuk përfaqësojnë as qytetin e as qytetarët, por vetëm hallin enjë 80 e kusur vjeçar të rrjedhur nga çdo lloj rruge të arsyes, krijojnë situata që janë qesharake që tregojnë se ku është katandisur ajo farë partie”, theksoi kryeministri.

Projekti i rijetëzimit të bulevardit historik “Epidamn”, i njohur si TID, parashikon shpronësimin e 74 familjeve durrsake, për të cilin qeveria ka akorduar një fond prej 315.5 milionë lekësh.

Por dhjetëra banorë të Durrësit kanë protestuar kundër shpronësimeve, teksa vlerën e dëmshpërblimit të ofruar nga Bashkia e konsiderojnë të ulët.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme