Prioritetet e Avokatit të Popullit, Shabani: 200 ditë për një dosje janë të papranueshme, do modernizojmë institucionin

Politikë | 9 muaj më parë

Avokati i ri i Popullit, Endrit Shabani, ka pranuar problematikat që po përballet institucioni dhe ka prezantuar prioritetet për ndryshim. Në një intervistë për emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, Shabani u shpreh se institucioni është aktualisht shumë i ngadaltë në trajtimin e çështjeve. Sipas tij, mesatarisht duhen rreth 200 ditë për të shqyrtuar një dosje, ndërsa ka ende çështje të mbetura pezull që prej vitit 2021.

Një tjetër shqetësim i ngritur prej tij është zbatimi i rekomandimeve. Sipas Shabanit, vetëm 6% e rekomandimeve të Avokatit të Popullit zbatohen, ndërsa pjesa tjetër injorohet. Ai e cilësoi këtë situatë si të papranueshme dhe theksoi domosdoshmërinë për rritjen e ndikimit dhe besueshmërisë së institucionit në opinionin publik.

“Problemi që ka sot institucioni ynë është që ne jemi shumë të ngadaltë, është mënyra si është menaxhuar, ka ndërveprim me shtetin kur ne çojmë letër dhe ata na kthejnë përgjigje pas 30 apo 60 ditësh dhe mesatarisht ne shpenzojmë 200 ditë për një çështje. Ky është problemi që dua ta zgjidh dhe kjo reflekton vonesën e përgjigjes tonë në publik.

Kërkojmë të modernizojmë institucionin, 200 ditë për një dosje është e papranueshme, ne kemi dosje ende të 2021 që nuk i kemi dhënë përgjigje. E dyta është eficenca, 6% të rekomandime tona zbatohet kurse pjesa tjetër injorohen dhe kjo nuk mund të vazhdojë kështu”, u shpreh Shabani.

Prioritetet kryesore të punës do të jenë e drejta e pronës, shëndeti publik dhe mbrojtja e të drejtave të fëmijëve.

“Opinioni publik dhe besueshmëria e tij ku është ende larg asaj që ky institucion duhet të ketë dhe cilësisë së shërbimit që duhet të japim. Kemi një betejë seriozë në të drejtën e pronës, shëndetin publik dhe fëmijët, janë prioritetet tona. Ajo që dëshirojë të ndryshojë është të rritet numri i ankesave nga të rinjtë, pasi kryesisht janë të moshuar”, tha Shabani.

I pyetur në lidhje me protestat e Partia Demokratike e Shqipërisë, ai konfirmoi se ka pasur ankesa nga protestuesit për abuzim dhe dhunë nga ana e policisë dhe se aktualisht kanë nisur hetime administrative.

“Janë ankuar dhe patjetër që ne jemi në çdo protestë. Sa herë kanë protestë Avokati i Popullit me një grup pune ku në çdo rajon politika e qendre shëndetësore kemi punonjës të institucionit që e monitorojnë. Roli ynë nuk është vetëm të ndjek protestat, por po përpiqem që të krijojë një kulturë institucione që të flasin përmes raporteve dhe rekomandimeve. Në rastet e shkeljes së të drejtave të qytetarëve kur është abuzuar nga policia apo arrestimi të miturve, ne kemi nisur procedimin dhe hetimin administrative dhe në disa raste kemi bërë rekomandime për procedim administrativ”, tha Shabani.

Shabani theksoi se synimi i tij është krijimi i një kulture institucionale ku komunikimi me publikun dhe me shtetin të bëhet përmes raporteve dhe rekomandimeve konkrete, duke rritur transparencën dhe përgjegjshmërinë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme