Avokati i Thaçit optimist, Misetic: Kemi çdo arsye për të pritur një rezultat shumë pozitiv

Kosovë | 9 muaj më parë

Pas fjalës përfundimtare të katër ish-krerëve të UÇK-së para trupit gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, Lluka Mishetiç tha se është optimist që klienti i tij do të lirohet.

“Ishte një gjykim i gjatë, një betejë e gjatë në sallën e gjyqit. Përshtypjet tona janë se kemi çdo arsye për të qenë optimistë për një rezultat shumë pozitiv. Është gjithmonë e pamatur të përpiqesh të parashikosh diçka në çdo çështje gjyqësore, sepse në fund të fundit gjithçka varet nga gjyqtarët, por nga argumentet që dëgjuam, si nga prokuroria ashtu edhe nga mbrojtja, besojmë se kemi të drejtë si në aspektin e provave ashtu edhe të ligjit. Dhe siç thashë, presim një rezultat shumë të mirë për klientin tonë”, u shpreh Mishetiç.

Pafajësi kërkoi edhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës Bedri Hamza për Hashim Thain, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

“Nga presidenti Thaçi, kryetari Veseli, baci Jakup e Rexha, sot dëgjuam zërin e popullit tonë që luftoi për mbijetesë dhe liri. Ata folën për sakrificën, dhimbjen dhe të vërtetën tonë. Këtë të vërtetë askush nuk do të mund ta relativizojë. Askush nuk do të mund ta zbehë. Askush nuk do të mund ta tjetërsojë. Sepse, askush nuk ka mandat ta njollosë sakrificën e popullit tonë. Kosova pret drejtësi. Kosova pret t’i kthehen bijtë e vet”, ka theksuar Hamza.

Katër ish-krerët e UÇK-së mbajtën deklaratat përfundimtare para Gjykatës së Hagës ku u shprehën se e vetmja e vërtetë e tyre është se janë të pafajshëm. Prokuroria Speciale ka kërkuar dënimin e secilit prej tyre me nga 45 vite burg, pasi i akuzon për krime lufte dhe krime ndaj njerëzimit gjatë luftës së fundit në Kosovë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme