Ish-deputeti Gjoni: Zelli i Shqipërisë për të qenë në Bordin e Paqes, i panevojshëm
Ish-deputeti Ralf Gjoni ka deklaruar në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH1 se diplomacia shqiptare duhej të tregohej më e kujdesshme me praninë e saj në Bordin e Paqes.
Duke komentuar pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes përmes kryeministrit Edi Rama, Ralf Gjoni theksoi se pavarësisht marrëdhënies strategjike me SHBA-në, vendi ynë ka një raport me Bashkimin Evropian ku kërkon të anëtarësohet.
“U tregua më katolik se Papa. Ministria e Jashtme duhej treguar më e rezervuar. Ne mund të pranonim zyrtarisht pjesëmarrjen në Bordin e Paqes por nuk ishte e nevojshme që të tregoheshim kaq të zellshëm. Mendoj se në ca momente jemi treguar më të zellshëm se vetë kampi ‘Maga’ i Trumpit.
E panevojshme sepse interesi ynë i parë, pavarësisht marrëdhënies strategjike që ne kemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që duhet ta ruajmë.
Do e ruajmë pavarësisht Trumpit, Ramës, Berishës apo Bushit. Ne kemi një marrëdhënie preferenciale me Bashkimin Evropian”, tha Gjoni.
Ai vuri në dukje se Shqipëria mori pjesë në Bordin e Paqes në një kohë kur administrata Trump kërkon çintegrimin nga aleancat e dikurshme.
“Duam të aderojmë, të integrohemi në Bashkimin Evropian. Një moment që administrata Trump po shkon drejt çintegrimit me aleancat e dikurshme të NATO-s transatlantike ne dëshirojmë të integrohemi në këtë klub të cilin administrata Trump e cilëson si një rrezik për interesat primare amerikane.
Ishte e pakujdesshme nga diplomacia shqiptare që të tregonim një zell kaq të madh duke pasur armiq në Evropë.
Unë vërej një frymë evropiane skeptike ndaj Bordit të Paqes. Në takimin e parë të Bordit të paqes vërej një mungesë të theksuar evropiane”, deklaroi më tej Gjoni.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



