Nënshkruhet marrëveshja për restaurimin e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, fokus te standardet ndërkombëtare

Banka Evropiane e Investimeve (BEI Globale) ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit e Shqipërisë, për të mbështetur restaurimin dhe rindërtimin e Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, BEI Globale do të ofrojë një grant prej 350 mijë eurosh për shërbime këshillimore që lidhen me restaurimin urban dhe përgatitjen e projektit për muzeun, i cili u dëmtua nga tërmeti i vitit 2019. Granti do të financojë përgatitjen dhe projektimin, rishikimet teknike, mbikëqyrjen, menaxhimin dhe procedurat e prokurimit.
Sipas njoftimit, shërbimet e konsulencës do të garantojnë që restaurimi të përmbushë standarde të larta për efikasitetin energjetik, qëndrueshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike dhe rehatinë e vizitorëve, duke siguruar njëkohësisht integrimin e plotë të objektit me mjedisin urban përreth.
Fondet akordohen në kuadër të Nismës për Rimëkëmbjen Ekonomike të BEI-t për Ballkanin Perëndimor, që synon të mbështesë rritjen e qëndrueshme, zhvillimin e infrastrukturës jetike dhe forcimin e kohezionit social në rajon.
Përfaqësuesi i BEI-t në Shqipëri, Alessandro de Concini, u shpreh se kjo nismë plotëson programin “EU4Culture” dhe do të kontribuojë në rigjenerimin urban dhe rigjallërimin e trashëgimisë kulturore të vendit. Ai theksoi se projekti do të mundësojë rikthimin e muzeut për qytetarët dhe vizitorët ndërkombëtarë, më të qëndrueshëm ndaj fatkeqësive natyrore dhe në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.
Ministri Blendi Gonxhja, e cilësoi asistencën teknike të BEI-t si thelbësore në fazën e dytë të përgatitjeve për restaurimin e plotë të muzeut, duke theksuar se projekti do të kontribuojë në realizimin e objektivave “Shqipëria 2030” dhe në avancimin e procesit të integrimit evropian.
Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në Tiranë, në prani të përfaqësuesve të lartë të qeverisë shqiptare dhe delegacionit të BEI Globale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




