Emërohet drejtori i ri i Luvrit

Botë | 8 muaj më parë

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka emëruar Christophe Leribault si president të Musée du Louvre, pas dorëheqjes së paraardhëses së tij, Laurence des Cars.

Dorëheqja e Des Cars vjen pas një presioni të madh publik, i cili u shtua ndjeshëm në muajin tetor, kur nga galeria “Apolon” e muzeut u grabitën në mes të ditës bizhuteri të kurorës franceze me një vlerë të raportuar prej 88 milionë eurosh. Incidenti shkaktoi reagime të forta dhe ngriti pikëpyetje mbi sigurinë në institucionin më të vizituar kulturor të Francës.

Ngjarja ka vënë nën kritika edhe ministren franceze të Kulturës, Rachida Dati, e cila muajin e ardhshëm pritet të garojë për kryebashkiake të Paris. Dati e ka cilësuar zbardhjen e grabitjes në Luvër si një nga prioritetet më urgjente të axhendës së saj. Edhe pse në fillim të muajit u shpreh se do të jepte dorëheqjen nga posti i ministres për t’u përqendruar në garë, burime nga qeveria franceze i thanë AFP-së se ajo synon ta mbajë detyrën sa më gjatë, për të ndjekur nga afër zgjidhjen e çështjes.

Sa i përket presidentit të ri të muzeut, Leribault është një kurator me përvojë të gjatë në drejtimin e institucioneve kulturore. Ai aktualisht drejton Château de Versailles, ndërsa më parë ka qenë në krye të Petit Palais dhe Musée d’Orsay, dy prej muzeve më ikonike të kryeqytetit francez.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme