Siguria e miellit dhe e bukës, AKU mbledh biznesin për harmonizimin e standardeve me Bashkimin Evropian

Aktualitet | 8 muaj më parë

Garantimi i sigurisë dhe cilësisë ushqimore për produktet bazë të shportës ka bërë bashkë institucionet shtetërore dhe operatorët e biznesit në një tryezë të përbashkët teknike. Me ftesë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), prodhuesit e bukës, brumërave dhe importuesit e miellit zhvilluan një takim konsultativ në “Shtëpinë e Biznesit”, me fokus sfidat e reja të tregut dhe integrimin evropian.

Takimi, i cili u realizua në bashkëpunim të ngushtë me Këshillin Ekonomik Kombëtar (KEK) dhe me praninë e përfaqësuesve të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR), shërbeu si një platformë profesionale për të diskutuar reformat në zinxhirin e kontrollit ushqimor.

Pikat kryesore të rendit të ditës përfshinë format e reja të inspektimit, përditësimi i procedurave të kontrollit për të garantuar transparencë dhe efikasitet; nxitja e operatorëve për t’u pajisur me standarde të njohura të cilësisë; hapat praktikë që duhen ndërmarrë nga industria vendase për t’u harmonizuar me standardet e rrepta të Bashkimit Evropian.

AKU si “filtër garancie” në pikat kufitare

Gjatë diskutimeve mbi zbatueshmërinë e ligjit, Drejtoresha e Përgjithshme e AKU-së, Blerina Gjylameti, theksoi rolin kritik të institucionit në mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve. Ajo nënvizoi se AKU do të vazhdojë të funksionojë si një filtër i fortë garancie, duke vënë theksin te rritja dhe forcimi i kapaciteteve në Pikat e Inspektimit Kufitar (PIK) për të parandaluar hyrjen e lëndëve të para jashtë standardit.

Megjithatë, Gjylameti vuri në dukje se ky rregullim i tregut kërkon një qasje partneriteti. Bashkëpunimi i ngushtë dhe i vazhdueshëm mes institucioneve ligjzbatuese dhe komunitetit të biznesit u cilësua si rruga e vetme dhe e qëndrueshme për të siguruar që në tryezat e konsumatorit shqiptar të mbërrijnë produkte të sigurta dhe me cilësi të lartë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme