Valët e luftës mbërrijnë në Shqipëri, Vangjeli paralajmëron faturën e krizës dhe rritjen e çmimit të naftës

Ekonomi | 8 muaj më parë

Ndërsa kriza në Lindjen e Mesme thellohet, vëmendja e publikut shqiptar duket se është zhvendosur tërësisht drejt zhvillimeve mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit. Në edicionin e fundit të emisionit “Trialog” në RTSH, analisti Lorenc Vangjeli ofroi një vështrim kritik mbi mënyrën se si shoqëria shqiptare po e përjeton dhe komenton këtë konflikt, duke vënë në dukje një sërë paradoksesh sociale dhe pasoja konkrete ekonomike.

Pika e parë e analizës së Vangjelit u fokusua te qasja e publikut në rrjetet sociale. Ai e cilësoi si “habi të madhe” interesin e jashtëzakonshëm të shqiptarëve për një luftë që zhvillohet mijëra kilometra larg, duke krijuar iluzionin sikur “Shqipëria është palë” apo sikur ngjarjet po ndodhin në periferi të Tiranës.

Analisti vuri në dukje një kontrast të mprehtë të realitetit tonë shoqëror: lehtësinë me të cilën qytetarët kthehen në “strategë” ushtarakë, ndërkohë që injorojnë çështjet jetike të përditshmërisë. Sipas tij, publiku e ka më të lehtë të debatojë për gjeopolitikën e Lindjes së Mesme sesa të kërkojë llogari për problemet e brendshme si niveli i pensioneve, gjendja e spitaleve, rritja e pagave dhe kostoja e jetesës.

Prania e MEK dhe psikoza e hakmarrjes

Përtej dëshirës për të komentuar, Vangjeli theksoi se përfshirja emocionale e Shqipërisë lidhet edhe me një faktor të prekshëm rreziku: praninë e kampit “Ashraf 3” në Manëz, i cili strehon anëtarët e opozitës iraniane (Muxhahedinët e Popullit – MEK).

Fakti që ky kamp ndodhet vetëm pak kilometra larg kryeqytetit ka ushqyer atë që analisti e quajti një “psikozë psikologjike”.

Sipas tij, në opinionin publik dhe në media kanë qarkulluar skenarë dhe teori të ndryshme konspiracioni lidhur me mundësinë e një hakmarrjeje të drejtpërdrejtë apo asimetrike të Teheranit ndaj Shqipërisë, e cila ka mbështetur hapur politikat amerikane dhe ka strehuar kundërshtarët e regjimit të mullahëve.

Goditja e parë reale, çmimi i naftës

Pavarësisht nëse frika nga një sulm është e justifikuar apo jo, Vangjeli konkludoi se “valët e luftës” tashmë kanë mbërritur në Shqipëri në formën e tyre ekonomike. Ai vuri në dukje se pasiguria në tregjet ndërkombëtare ka sjellë një rritje të menjëhershme të çmimit të naftës me 4 deri në 5 lekë për litër në tregun vendas.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme