Djegia e autobusit në Zvicër/ “Autori kishte ikur nga spitali”, gazetari Maliqi rrëfen detajet e pathëna: Një 32-vjeçar shqiptar hero, u fut mes flakëve për të shpëtuar njerëzit

Botë | 8 muaj më parë

Zvicra është tronditur nga një ngjarje e rëndë në kantonin e Fribourg-ut, ku një akt vetëflijimi u kthye në një tragjedi. Një autobus pasagjerësh u përfshi nga flakët agresive në fshatin Kerzers, duke lënë pas gjashtë viktima dhe pesë të plagosur.

​Në një intervistë për emisionin “Në Radio” me Andri Xhahun në Radio Tirana, gazetari shqiptar në Gjenevë, Nefail Maliqi, ka rrëfyer detajet e kësaj ngjarjeje.

​Sipas Maliqit, kjo ngjarje vjen në një moment kur vendi ishte ende nën tronditjen e një goditjeje të mëparshme.

​“Para dy muajve Zvicra kishte një tragjedi në Crans-Montana. Ende pa u tharë mirë lotët për 24 viktimat, të martën u prek nga një tjetër tragjedi”, u shpreh ai, duke nënvizuar se autoritetet kanë punuar me shpejtësi për identifikimin e personave të përfshirë.

​Tragjedia ndodhi kur një 65-vjeçar nga Berna, i cili ishte raportuar si i zhdukur nga spitali i qytetit, u lye me lëndë djegëse brenda në autobus dhe i vuri flakën vetes. Maliqi tregon se autori ishte një person me probleme të rënda të shëndetit mendor. ​“I dyshuari është një 65-vjeçar, i cili ishte një person me probleme të shëndetit mendor ose siç e kualifikon policia zvicerane si i margjinalizuar dhe i shqetësuar”, tha Maliqi

​Gjashtë personat që ndërruan jetë dhe pesë të plagosurit janë identifikuar zyrtarisht. “Ndër viktimat e konfirmuara janë, shoferi i autobusit, një 63-vjeçar portugez. ​Dy gra të moshës 25 dhe 39-vjeçare si dhe dy meshkuj të moshës 16 dhe 29 vjeç, të gjithë banorë të rajonit të Kerzers-it”.

Mes viktimave ishte edhe Lara Baumgartner, prezantuese e Radio Energy në Bern, e cila po kthehej nga puna. “Një kolege shumë e mirë, raportuese e aftë e radios”.

​Në mes të këtij tmerri, spikati akti i guximshëm i një 32-vjeçari nga Kosova, Faton Berishës, i cili ndodhej rastësisht në atë autobus. Megjithëse mbeti i plagosur, ai u përpoq të bënte të pamundurën për të shpëtuar të tjerët.

​Dëshmitarët okularë kanë treguar se Fatoni nuk mendoi për veten, por u hodh në mes të flakëve. ​“Shqiptari u përpoq të shpëtonte pasagjerët, i cili rrezikoi shumë duke marrë lëndime. Duke filluar nga autori i krimit, të cilin u përpoq ta shpëtonte nga flakët edhe pse ishte lyer vetë me benzinë. Arriti të dilte nga autobusi me shumë vështirësi. Gjendja e tij tashmë është stabël.”

​Presidenti i Zvicrës, Guy Parmelin, vizitoi vendin e ngjarjes në fshatin Kerzers për të bërë homazhe. Aty është një komunitet me 5500 banorë ku 40 për qind janë të huaj, mes tyre rreth 250 shqiptarë. Parmelin u shpreh se kombi po kalon një “kohë jashtëzakonisht të vështirë”.

Nefail Maliqi e mbylli dëshminë e tij duke analizuar një anë të errët të shoqërisë zvicerane që shpesh mbetet e fshehur pas imazhit të “vendit më të sigurt në botë”.

​“Sipas statistikave, në Zvicër ka 1000 vetëvrasje çdo vit, nën ndikimin e alkoolit, të drogës, të pashpresë ose të dëshpëruar. Zviceranët i ka shqetësuar kjo ngjarje. Këto dy ngjarje e kanë ulur pak imazhin e Zvicrës”, përfundoi Maliqi.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme