Franca në votime, zgjedhjet lokale matin forcën e partive para përballjes së vitit 2027

Botë | 8 muaj më parë

Franca i është drejtuar sot kutive të votimit për raundin e parë të zgjedhjeve lokale, një proces që shihet si një provë zjarri për presidencialet e vitit 2027.

Miliona qytetarë po zgjedhin drejtuesit e rinj në rreth 35 mijë bashki dhe komuna, duke u fokusuar te siguria dhe shërbimet publike.

Megjithatë, vëmendja kryesore është te qytetet e mëdha, ku po matet forca reale e partive përpara betejës për të pasuar Emmanuel Macron. E djathta ekstreme e Marine Le Pen synon të thyejë tabutë dhe të marrë kontrollin e disa qyteteve kyçe si Tuloni apo Nima.

Ndërkohë, në Paris po zhvillohet një garë mjaft e fortë, ku Rachida Dati kërkon t’ia rrëmbejë kryeqytetin të majtës pas një çerek shekulli.

Nga ana tjetër, e majta radikale e Jean-Luc Mélenchon po tenton të zgjerojë hartën e saj të ndikimit në rrethinat e Parisit. Analistët thonë se rezultati do të varet shumë nga koalicionet që do të krijohen mes dy raundeve për të bllokuar rivalët.

Ky votim vjen në një kohë kur parlamenti francez është i ndarë si kurrë më parë, duke rritur pasigurinë politike. Edhe pse bëhet fjalë për pushtetin lokal, mesazhi që do të japin francezët do të jetë një sinjal i qartë për të ardhmen e Elizesë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme