Mijëra besimtarë falin namazin e Fitër Bajramit në mbarë vendin, mesazhe për shpresë dhe solidaritet

Mijëra besimtarë kanë falur namazin në xhamitë e qyteteve në vend, duke kremtuar Fitër Bajramin në një atmosferë përkushtimi dhe solidariteti.
Në Gjirokastër, ceremonia e faljes u zhvillua në ambientet e Pallatit të Sportit, ku morën pjesë një numër i konsiderueshëm besimtarësh, të cilët u bashkuan në lutje për paqe, mirësi dhe begati.

Ndërkohë, në Fier, falja e namazit u drejtua nga imami Mikel Hazizolli, i cili në fjalën e tij theksoi rëndësinë e përkushtimit ndaj Zotit dhe reflektimit në jetën e përditshme. Ai u ndal te vlerat njerëzore, duke nënvizuar se kjo jetë është e përkohshme dhe se veprat e bëra me zemër janë ato që kanë më shumë vlerë.
Imami Hazizolli u bëri thirrje besimtarëve që t’i kushtojnë më shumë rëndësi familjes, duke u lutur për martesat e reja dhe rritjen e shëndetshme të fëmijëve, sidomos në kohët e sotme të sfiduara nga zhvillimi i shpejtë i teknologjisë. Ai theksoi gjithashtu nevojën për edukimin e fëmijëve me vlera, respektin ndaj prindërve dhe mbështetjen ndaj njerëzve në nevojë.

Edhe në Vlorë, besimtarët myslimanë kanë falur namazin e Fitër Bajramit në ambientet e Klubit Shumësportësh Flamurtari, ndërsa imamët përcollën mesazhe urimi dhe reflektimi.
“Ju uroj besimtarëve myslimanë gëzuar Fitër Bajramin, të jetë një ditë reflektimi dhe të sjellë paqe në botë”, deklaroi një prej imamëve.
Ndërsa një tjetër imam theksoi: “Në mes të krizave të shumta në botë, ka momente kur Zoti na ndriçon dhe na udhëzon drejt mirësisë. Lusim që këto mirësi të shtrihen në çdo familje.”

Ndërsa besimtarët myslimanë në Lushnje u mblodhën në sheshin kryesor të qytetit për të falur namazin e Fitër Bajramit. Në fjalën e tij përshëndetëse, myftiu i Lushnjes përcolli mesazhe bashkimi e vëllazërimi besimtarëve në shesh.

Besimtarët myslimanë në Shkodër u mblodhën në orët e para të mëngjesit për faljen e Fiter Bajramit, duke përmbyllur kështu muajin e shenjtë të Ramazanit, pas 30 ditëve agjërim.
Ceremonia e faljes u zhvillua në sheshin pranë Xhamisë “Ebu Bekër” në Fushë Çelë, ku besimtarët mbushën hapësirën përreth. Mesazhet e festës i përcolli në ligjërimin e tij, zëvendësmyftiu i Shkodrës, Arben Halluni, ku u ndal te rëndësia e familjes dhe përkujdesit ndaj moshës së tretë.
Pas faljes së namazit, besimtarët shkëmbyen urime mes njëri-tjetrit, duke ndarë gëzimin e kësaj dite të shenjtë.

Pas 30 ditësh agjërim të muajit të Ramazanit, besimtarët mysliman në Lezhë kremtuan festën e Fitër Bajramit. Falja e namazit u bë në xhaminë e qytetit, ku ritualit fetar ju bashkuan dhjetëra besimtarë. Teksa foli për rëndësinë e Fitër Bajramit, Myftiu i Lezhës Sadetin Kotrri tha se kjo është një ditë gëzimi për të gjithë besimtaret.
Pas faljes së namazit të Fitër Bajramit, besimtarët mysliman të Lezhës ju drejtuan shtëpive të tyre për kremtimin e kësaj feste e cila vijon me drekën në familje dhe me vizita tek njëri tjetri.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



