Paqe në Islamabad? JD Vance propozohet si kryenegociator nga SHBA-të për bisedimet me Iranin

JD Vance mund të udhëheqë negociatat e mundshme të paqes me Iranin në emër të SHBA-ve, nëse bisedimet zhvillohen në Islamabad, bëjnë të ditur burime diplomatike, raporton The Guardian.
Sipas këtyre burimeve, udhëheqja ushtarake e Pakistanit po përpiqet të ndërmjetësojë dialogun mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Iranit. Përpjekjet vijnë pasi Shtëpia e Bardhë konfirmoi se kreu i ushtrisë pakistaneze, Asim Munir, zhvilloi një bisedë telefonike me Donald Trump lidhur me konfliktin.
Burimet thonë se një takim i mundshëm mes SHBA dhe Iranit mund të mbahet që këtë javë në Islamabad, me synim arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës që ka nisur rreth një muaj më parë. Megjithatë, ende nuk ka një konfirmim zyrtar për vendin apo pjesëmarrjen e palëve.
Ndërkohë, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, raportohet se po përgatitet për një vizitë në Islamabad, ndërsa mbetet e paqartë nëse përfaqësues iranianë do të marrin pjesë.
Burime pakistaneze thanë se zëvendës presidenti amerikan, JD Vance, po propozohej si një kryenegociator i mundshëm nga pala amerikane nëse bisedimet do të vazhdonin, në vend të Witkoff ose dhëndrit të Trump, Jared Kushner, i cili udhëhoqi negociatat bërthamore me Iranin para luftës.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




