Festivali i pranverës në RTSH-Bojken Lako: Motivim për të rinjtë që të krijojnë muzikë

Kulturë | 7 muaj më parë

Festivali i pranverës në Radio Televizionin Shqiptar rikthehet pas dy dekadash. Këngëtarë dhe kantautorë si Elton Deda, Sokol Marsi, Bojken Lako, Ermira Babaliu dhe Robert Aliaj kanë rrëfyer në emisionin “Në Kohë Reale”, eksperiencat e tyre të mëparshme me pjesëmarrjet në festivalet e pranverës së realizuara më parë nga RTSH.  

“Faktikisht ishte ajo kur filloi në një formë apo një tjetër të liberalizohet gjithçka. Ishte një lloj pranvere që po i shtohej aktivitetit artistik të krijuesve. S’e mbaj mend në cilin vit kam kënduar por unë kam pasur gjithnjë një kusht; atë të tekstit dhe duke folur me pak hile…”, tha këngëtarja Babaliu.

Sa i përket rikthimit të festivalit të pranverës në RTSH, Babaliu u shpreh se “është një risjellje e bukur dhe vetë fakti që nuk ka konkurrencë do të jetë ajo liria e bukur e pranverës.”

Ndërkaq, kantautori Bojken Lako theksoi se është “pak shqetësuese motivimi që kanë të rinjtë për të vazhduar dhe pasur krijimtari. Detyra e mediave publike, është që të organizojnë sa më tepër evenimente për t’u dhënë një motivim të rinjve”.

Festivali i Pranverës do të shërbejë si një mundësi e re për këngëtarët që kërkojnë të prezantojnë krijimet e tyre dhe që njëkohësisht premtojnë energji të reja për t’i dhënë jetë festivalit të të rinjve, i cili pritet të hyjë e të bëhet pjesë e çdo familjeje shqiptare.

Artistët që dëshirojnë të marrin pjesë duhet të dorëzojnë këngë origjinale, në gjuhën shqipe dhe të papublikuara më parë.

Konkursi është i hapur për të gjithë të interesuarit të moshës 18 deri në 30 vjeç, duke krijuar mundësi reale për të gjithë zërat e rinj. Afati për dorëzimin e materialeve muzikore është nga data 7–13 prill.

Rikthimi i Festivalit të Pranverës, pas një periudhe kaq të gjatë, pritet të sjellë një frymë të re në skenën shqiptare dhe të ngjallë interes tek të rinjtë që synojnë të ndërtojnë karrierën e tyre në muzikë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme