Pas largimit nga detyra,reagon Klevis Qose: Mirënjohje për besimin, suksese drejtuesit të ri

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, ka reaguar publikisht një ditë pas largimit nga detyra, duke ndarë një mesazh falënderimi dhe një përmbledhje të punës së tij gjatë drejtimit të sistemit penitenciar.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Qose shpreh mirënjohjen për besimin e dhënë dhe falënderon të gjithë punonjësit e sistemit për përkushtimin dhe profesionalizmin, pavarësisht sfidave të shumta që, sipas tij, kanë karakterizuar këtë sektor.
Ai vlerëson bashkëpunimin me drejtues të lartë shtetërorë, përfaqësues të drejtësisë, si dhe partnerë ndërkombëtarë, duke theksuar rolin e tyre në përmirësimin dhe afrimin e sistemit penitenciar me standardet evropiane.
Njoftimi i plotë:
“Me mirënjohje për besimin që më është dhënë për të drejtuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, në këtë moment të përfundimit të detyrës sime, dua të ndaj me të gjithë ju një falënderim të sinqertë për gjithçka që kemi arritur së bashku.
Së pari, dua të falënderoj dhe t’u përcjell gjithë mirënjohjen time, të gjithë punonjësve të këtij sistemi për përkushtimin, profesionalizmin dhe përgjegjshmërinë e treguar në përmbushjen e detyrës, pavarësisht të gjitha vështirësive dhe sfidave, të cilat në punën tonë kanë qenë më specifike e me ngarkesa jo të vogla .
Me konsideratë të veçantë falënderoj Kryeministrin z. Edi Rama për besimin dhe vlerësimin, ish-ministrin z. Ulsi Manja për profesionalizmin, mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin e ngushtë gjatë gjithë periudhës së ushtrimit të detyrës, ministrin z. Besfort Lamallari, ministrin aktual të Drejtësisë z. Toni Gogu.
Falënderoj Ambasadoren znj. Nancy Vanhorn dhe stafin e saj nga Ambasada Amerikane 🇺🇸,
Ambasadorin z. Nicholas Abbott dhe stafin nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar 🇬🇧,
Ambasadorin z. Marco Alberti dhe stafin nga Ambasada Italiane 🇮🇹,
Ambasadorin z. Reinout Caspar Vos dhe stafin nga Ambasada Holandeze 🇳🇱,
Ambasadorin z. Tayyar Kağan Atay dhe stafin nga Ambasada Turke 🇹🇷,
znj. Giulia RE, kreu i Zyrës së Këshillit të Europës,
dhe z. Michel Tarran, ambasador i OSBE-së, për mbështetjen e vyer dhe kontributin e tyre në forcimin e sistemit penitenciar dhe afrimin e tij me standardet më të mira europiane .
Falënderoj komunitetet fetare, për rolin e tyre të çmuar në mbështetjen shpirtërore dhe sociale të personave të privuar nga liria, si dhe për të gjithë institucionet dhe organizatat me të cilat kemi bashkëpunuar ngushtë gjatë kësaj periudhe, duke kontribuar së bashku në përmirësimin e sistemit penitenciar .
Falënderoj prokurorët e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme (GJKKO), si dhe prokurorët dhe gjyqtarët e juridiksionit të përgjithshëm për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e treguar gjatë kësaj kohe.
Në këtë periudhë, kemi punuar për të ndërtuar një sistem më transparent, më modern dhe më funksional. Hapëm dhe garantuam transparencën e proceseve të gradimit dhe të ecurisë në karrierë për çdo punonjës. Investuam në rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e infrastrukturës, përmes vendosjes së sistemeve antidron në burgjet e sigurisë së lartë, sigurimit të automjeteve të blinduara për transportin e personave me rrezikshmëri të lartë, si dhe shtimit të flotës së ambulancave.
Ndërmorëm hapa konkretë në përmirësimin e infrastrukturës: rihapëm institucionin e Ali Demit si burg i hapur, ndërtuam burgun e ri në Kukës, restauruam dhe termoizoluam 9 IEVP, si dhe vijohet me restaurimin total të IEVP Fushë-Krujë. Paralelisht, siguruam godinat nga përmbytjet dhe tërmetet dhe mbyllëm objektet e amortizuara të periudhës së komunizmit.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua përmirësimit të kushteve të punës dhe rritjes profesionale të stafit. Krijuam qendra trajnimi dhe zhvilluam programe profesionale, hapëm workshope në REC, Fier dhe Korçë, lidhëm marrëveshje me universitete private për bursa falas për punonjësit dhe ofruam kredi të buta për ta .
Në drejtim të modernizimit, rinovuam sallën e monitorimit në DPB dhe realizuam digjitalizimin e sistemeve elektronike, duke përfshirë sistemin e repertorëve dhe të radiove. Po ashtu, garantuam sigurimin e shëndetit dhe mbrojtjen nga aksidentet në punë për të gjithë punonjësit e sistemit penitenciar dhe SHKBB. Po ashtu mundësuam kredi të buta për punonjësit e DPB-së.
Si pjesë e përmirësimeve institucionale, përtej marrëveshjeve ekzistuese me komunitetet fetare për ushtrimin e veprimtarisë së tyre në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, tashmë përfaqësuesit e komuniteteve fetare janë bërë pjesë e organikës sonë. Gjithashtu, u përfshi në strukturë edhe një psikolog i dedikuar për stafin, duke garantuar mbështetjen psikologjike dhe mirëqenien e punonjësve të çdo institucioni.
Ngritëm një laborator për testimin e shpejtë të çdo personi të paraburgosur apo të dënuar që hyn në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, për sëmundjet infektive dhe ato seksualisht të transmetueshme. Gjithashtu, hartuam projektin për ndërtimin e një spitali të ri psikiatrik dhe forensik për të dënuarit me vendim gjyqësor, si dhe lidhëm marrëveshje me bashkitë për riintegrimin e tyre pas përfundimit të dënimit.
Edhe me gjithë angazhimin e madh të bërë, vlerësimi dhe përcjellja tek publiku do të ishte e pamundur pa punën e gazetarëve, të cilëve u shpreh falënderimin tim.
Në përfundim, i uroj suksese drejtorit të ri, Ardiatik Kupi, në përmbushjen e kësaj detyre me përgjegjësi të lartë, në vijimësinë dhe forcimin e mëtejshëm të reformave në sistemin penitenciar.
Faleminderit të gjithëve! Jam mirënjohës për gjithkënd që në këtë rrugëtim dyvjeçar ka vënë një gur në këtë institucion të rëndësisë së veçantë”, shkruan ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



